top of page

Denoncim i ri për Celibashin/ Tenderi 195 mln lekë për bexhat e KQZ shkon në KPP

Ilirjan Celibashi ka thyer rekordin për numrin e denoncimeve që i janë bërë për tenderët e materialeve të zgjedhjeve të 14 majit. Në janar-shkurt 7 denoncime u bënë në 1 javë për Celibashin. Pasi po shpenzonte pa kriter në projektet për furnizime për zgjedhjet e ardhshme vendore. Një prej këtyre tenderëve abuzivë ishte edhe ai me vlerë 195 milionë lekë për blerjen e bexhave. Asnjë masë nuk u mor nga KPP!

Tani është bërë një tjetër denoncim, nga një tjetër kompani pjesëmarrëse në tender. Denoncimi është bërë më 6 prill 2023 nga kompania “Inpress”. E cila akuzon KQZ-në se ka hartuar tenderin në shkelje të rregullave ligjore dhe me kritere burokratike që cenojnë konkurrencën e lirë. Ndërkohë vlen të përmendim se Komisioni i Prokurimeve Publike nuk e ka publikuar dokumentin e plotë të ankesës. Këtë taktikë e përdor shpesh kryetari Janaid Myzyri për të mbajtur nën hije abuzimet e zyrtarëve që drejtojnë institucione të rëndësishme.



Shkeljet

Kujtojmë se në denoncimin e parë citohej se ky tender është hartuar me shpejtësi, pasi është i paqartë, burokratik dhe duket sikur është zhvilluar për një fitues të paracaktuar.

Konkretisht, ankimuesi  “ALBDESIGN PSP” shprehej se është e panevojshme kërkesa për certifikatë ISO 22301-2012. Sipas tij, kjo certifikatë është një standard kombëtar që është zhvilluar për të ndihmuar bizneset të identifikojnë kërcënimet e mundshme ndaj rasteve kritike të biznesit dhe të hartojnë një plan të menaxhimit dhe të vazhdimësisë së biznesit. Duke qenë se furnizimi me “badge” dhe rripa mbajtëse janë produkte të gatshme, ankimuesi tregon se, “ato nuk kanë të bëjnë me proces prodhimi, ndalimi i të cilit do të rrezikonte kontratën. Prandaj në këtë rast certifikimi i menaxhimit të biznesit me këtë lloj certifikate nuk është i nevojshëm dhe proporcional me objektin e tenderit”.


Gjithashtu, në kriterin 2 kërkohet që malli të dorëzohet brenda 15 ditëve nga data që firmoset kontrata. Sipas denoncimit, ky afat është i pamjaftueshëm dhe pengon firmat e interesuara të marrin pjesë në garë.

Atëherë nëse bëhen dy denoncime dhe ngrenë dyshime që ky tender është hartuar për t’ia bërë dhuratë ndonjë miku të Celibashit, përse SPAK nuk heton? A ka rrezik më të madh se sa të korruptohet Kryekomisioneri i KQZ?! Përse Prokuroria nuk godet pazaret për zgjedhjet (në këtë rast me fondet e administratës zgjedhore) që kanë nisur qysh në këtë fazë përgatitore?

bottom of page