Pastrimi dhe asgjësimi i mbeturinave të rrezikshme në spitale është kthyer në një lojë korrupsioni të drejtorëve me disa kompani që zëvendësojnë njëra tjetrën në tendera. Por së fundmi, duket se është prishur ‘harmonia’ dhe marrëveshjet e fshehta për të ndarë paratë e spitaleve. Tashmë përplasja është bërë aq e fortë, sa kompanitë po i nxjerrin të palarat jashtë fasadës së tenderave.
Kështu po ndodh me prokurimin me objekt “Trajtim dhe asgjësim i mbetjeve citostatike dhe citotoksike në QSUNT” për 12 muaj”, me fond limit 14 milionë lekë të zhvilluar në 15 janar 2024.
Theksojmë se drejtoresha e Spitalit “Nënë Tereza” ka merituar një “Flamur të kuq” sipas vlerësimit të ‘Open Data Albania’. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Shohim se për këtë tender janë paraqitur 2 oferta, nga firma të njohura që i përfitojnë rregullisht tenderat e asgjësimit të mbetjeve nëpër spitale. QSUT, me drejtimin e Albana Ficos ka skualifikuar menjëherë firmën V.A.L.E. RECYCLING sh.p.k, për shkak se ka ende pa shlyer një gjobë prej 10 milionë lekësh.
Por duke qenë se në garë mbeti vetëm oferta e firmos ‘Eco riciklim’, Fico duhej të anulonte këtë tender dhe të shpallte një tjetër thirrje për të mos e bërë prokurimin pa konkurrencë. Sipas vendimit të komisionit të Ficos, shpallet fituese kompania “EcoRiciklim” e Arbër Teqjas.
Teqja ka qenë i arrestuar në vitin 2015 për falsifikim dhe përvetësim, si një prej përfituesve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet skemës së rimbursimit të medikamenteve nëpërmjet farmacisë së tij “Express”.
Gjithashtu, rezulton se nëpërmjet kompanisë tjetër të tij DIAL-ALB ai është gjobitur në kohën e pandemisë nga Autoriteti i Konkurrencës me masë administrative gjobë në vlerën e 1.2 milionë lekëve për shumëfishim të çmimeve të dezinfektantëve dhe maskave në muajt kur Shqipëria u kalua nga pandemia e Covid-19, duke zhvatur kështu qytetarët e varfër shqiptarë.
Gjithsesi, ky tender duket se nuk ka përfunduar. I prekur nga vendimi, pronari i V.A.L.E. RECYCLING sh.p.k., Elvis Miri ka bërë denoncim në KPP. Ai ankohet se argumenti i QSUT për skualifkimin e kompanisë nuk qëndron sepse, përderisa kompania e tij ka marrë gjobë për një rast, do të paguhet ajo masë administrative dhe e qartë që nuk rrezikohet pezullimi apo heqja e licencës së mjedisit, sepse i është dhënë njëherë një ndëshkim.
Sipas tij QSUT e ka përdorur këtë pikë si justifikim që t’i hapte rrugën firmës së Arbër Teqjajt. Prandaj Miri kërkon që tenderi të anulohet dhe të rishikohen me kujdes edhe njëherë ofertat e paraqitura.
Situata në terren
Pacientët e repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Urologjisë në QSUT rrezikohen çdo ditë nga mbetjet e shumta spitalore të grumbulluara në tualetet dhe ballkonet e spitalit. Shpesh stafi mjekësor ka dërguar foto nëpër media ku tregojnë situatën e rënduar të magazinimit të mbetjeve spitalore. Aty tregohet qartë prania e qeseve të serumit, kateterëve dhe qeseve të urinës të grumbulluara në tualete.
Maska, shiringa, shishet e serumit, ilaçe të skaduara dhe mbetje të tjera të rrezikshme spitalore, hidhen bashkë me plehrat e tjera, për të përfunduar në ujërat nëntokësore dhe në det, e për t’u kthyer në formë helmesh përmes ujit dhe ushqimeve të përditshme që konsumojmë.
Kjo është situate e zakonshme që vjen për shkak të neglizhencës së institucioneve të ngarkuara për të monitoruar mbetjet spitalore deri në asgjësimin e tyre sipas ligjit.
Miliona euro shpenzohen për këtë proces ndërkohë mbetjet spitalore i gjejmë në natyrë.
Spitali ka për detyrë ndarjen që në burim të mbetjeve spitalore nga rrymat e tjera të mbetjeve dhe parandalimi i hyrjes së mbetjeve spitalore në zinxhirin e asgjësimit të mbetjeve të ngurta urbane.
Në Shqipëri janë katër kompani të cilat janë licencuar për të trajtuar mbetjet spitalore të rrezikshme. Kompanitë plotësojnë dokumentacionin dhe e dorëzojnë pranë Agjencisë Kombetare të Mjedisit ku japin të dhënat për teknologjinë që disponon dhe mënyrën e trajtimit të mbetjeve për t’i bërë më pas sterile e të depozitohen pranë landfilleve apo inceneratoreve të cilat i djegin.
Katër kompanitë që operojnë në trajtimin e mbetjeve spitalore janë: “Pura medical” që ka fituar të drejtën e lejes së tipit A, ndërsa në lejen e tipit B theksohet se trajtohen mbetjet me teknologjinë ISS AC 575.
“Vale Recycling”, ka leje mjedisore të tipit B dhe asgjëson me teknologjinë ECONOS dhe NEWSTER dhe ka një kapacitet rreth 190 kilogramë për cikël në të dy teknologjitë.
Kompania Medi-Tel, e cila në 20 nëntor 2020 ka aplikuar për të ndërtuar një incinerator në zonën e Kasharit në Tiranë.
Një tjetër kompani që operon në këtë fushë është ECO RICIKLIM, dhe përdor teknologjinë e tipit NEWSTER.
Ashtu siç ndodh rëndomë, Agjencia nuk ndjek në të vërtetë asnjë hallkë të procesit.
Si ndahen paratë e “Nënë Terezës” për mbetjet e rrezikshme?
Kompanitë e përmendura më sipër ndajnë rregullisht paratë e “Nënë Terezës’ për mbetjet e rrezikshme, pavarësisht cilësisë së shërbimit, ndërrimit të drejtorëve në spital. Kështu, aktualisht, furnizimin me kosha, konteinier dhe qese për mbledhjen dhe ambalazhimin e këtyre mbetjeve është duke e bërë kompania Medi-Tel me një kontratë dyvjeçare. Më 20 janar 2023 firma nënshkroi kontratën 140 milionë lekë për furnizimin me këto mallra.
Prokurimi u krye në mungesë të plotë të konkurrencës, çka tregon rolin e drejtoreshës Fico në këtë situatë.
Kompania tjetër që bën denoncimin e tenderit, V.A.L.E. Recycling shpk ka qenë përfituesja e fondit për agjësimin e mbetjeve të rrezikshme të firmosur më 18 maj 2022. Fondi limit ka qenë më i madh në atë kohë, rreth 190 milionë lekë.
Kompania u fut e vetmja në tender dhe fitoi në mungesë të konkurrencës.
Në shkurt 2023, V.A.L.E. Recycling përfitoi një mini kontratë 1 vjeçare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme të QSUNT. Objekti ishte “Trajtimi i mbetjeve të rrezikshme spitalore anatomike të lëngëta dhe të ngurta, për QSUNT, për 12 muaj”. Tenderi u përfitua me “Flamur të kuq”, që është shenja e përdorur nga Open Data për të treguar riskun e korrupsionit.
Në të njëjtën kohë u zhvillua një tender tjetër nga drejtoresha Fico. Objekti i prokurimit ishte “Minikontrata 1 Trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19 dhe shërbimet e tjera në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për 12 muaj”. Në këtë garë hynë MEDI – TEL sh.p.k. dhe V.A.L.E. RECYCLING sh.p.k. Kontrata u përfitua nga kjo e dyta.
Një vit më pas është radha e V.A.L.E. RECYCLING të luajë rolin në sfond të skenës, pasi paratë i janë dhënë kompanisë ECO Ricklim.
Ky teatër me tendera ku luhet me paratë e taksapaguesve do të vazhdojë derisa SPAK të fusë në agjendë shpërdorimet e fondeve në Spitalin “Nënë Tereza”. Kujtojmë se disa zyrtarë dhe biznesmenë janë në burg për koncesionet e dhëna në Shëndetësi, ndërsa mes të akuzuarve për korrupsion është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.