top of page

Djali sekser i anëtares së KLP la të vdekur 55-vjeçarin, BIRN: Inspektorati i Lartë i Drejtësisë…


Arrestimi i të birit me akuzën e vrasjes nga pakujdesia vë në pozitë të vështirë anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seiti, mes akuzave publike se i biri përdorte emrin e saj për të nxjerrë përfitime.


Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seitu (Meta) u arrestua të hënën me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, pasi dyshohet se goditi me grushte që i sollën vdekjen 55-vjeçarin Armando Meshau.


Zyrtarisht policia njoftoi se mes dy personave pati një përplasje për “motive të dobëta”, por oficerë në dijeni të hetimit i thanë BIRN se Meta dyshohet të kishte shërbyer si sekser për viktimën për një problem me pronat që ky kishte në Vlorë dhe se Meshau nuk i kishte dhënë shpërblimin.


BIRN mësoi nga grupi i hetimit se Meta dyshohet se ka përdorur emrin e së ëmës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të nxjerrë përfitime, duke pretenduar se mund të zgjidhte probleme të pronave. Në rastin që solli konfliktin, Armando Meshau viktima, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordsinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.


Kjo solli përplasjen në një kancelari dhe pas debatit me fjalë, dy personat janë qëlluar me grushte që sollën rrëzimin dhe më pas vdekjen e Meshaut.


Oficerë të policisë në dijeni të hetimit thanë se Meta e ka mohuar këtë. Ai ka pretenduar se ka qëlluar me grushte Meshaun për tu vetëmbrojtur dhe se kishte qenë ndërtuesi që e kishte sharë dhe qëlluar i pari.

Por arrestimi i Metës dhe akuzat se ai ka përdorur emrin e nënës, vënë në vështirësi anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. E pyetur nga BIRN Mimoza Koçiu, këshilltare për mediat pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, tha se ata po e ndiqnin rastin.

“Kjo çështje është në ndjekje nga ILD”, tha Koçiu.


Anëtarja e KLP-së nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi ngjarjen dhe as nëse do të mbante ndonjë qëndrim pas saj. I pyetur nëse rasti ndikonte në perceptimet për një hetim të drejtë, duke qenë se hetohet familjari i një anëtari të KLP-së, kreu i këtij institucioni Alfred Balla mohoi mundësinë për ndikim.


“Prokurorët sot janë plotësisht të pavarur dhe askush nuk mund të ndikoj në punën e tyre hetimore e cila kontrollohet nga gjykata”, tha ai. Balla tha se ngjarja ishte “e rëndë dhe e trishtueshme”, por shtoi se personi i akuzuar ishte mbi 30 vjeç dhe nuk jetonte me prindërit.


BIRN mësoi se për të sqaruar rrethanat e vrasjes policia ka thirrur të hënën dhe të martën 10 persona, mes të cilëve dëshmitarë okularë dhe të afërm të viktimës dhe autorit të dyshuar.



bottom of page