Djali i sapolindur i Diana Bahçes këtë të premte do të ketë mundësi të flejë me aromën e nënës.
27-vjeçarja nga Shkodra do të rikthehet në shtëpi 10 ditë pasi qëndroi në qëli për një gjobë të papaguar.
Në lot, nëna lehonë mohoi para gjykatësve veprën për të cilën akuzohet, braktisjen e fëmijës nga martesa e parë.
Gjyqtari Ardit Mustafaj vendosi që Diana të rikthehet pranë djalit me kushtin që të paguajë gjobën.
Të drejtë e cilësoi avokati i lehonës vendimin teksa njoftoi se rasti ka sjellë sensibilizim të qytetarëve të shumtë të cilët janë të gatshëm të paguajnë gjobën prej 200 mijë lekësh.
"Drejtësia u vu në vend, ishte një vendim jashtëzakonisht i drejtë dhe human. Kemi marrë shumë telefonata dhe mundësi që janë vetëofruar për të paguar gjobën."
Përveç Dianës, vendimi ka lumturuar edhe bashkëshortin, i cili këto 10 ditë është kujdesuar për pasardhësin e mitur.
"Faleminderit nga zemra të gjithëve!"
Rasti i Dianës të enjten shkaktoi edhe debate në Kuvend, ku deputetë të majtë e të djathtë dënuan sjelljen e drejtësisë që shkëputi lehonën nga foshnja e saj.