Gazetari Elvi Fundo ka nxjerrë me dokumente në emisionin “Review” në “Euronews Albania”, investimi që duhej bërë për 6 vite në inceneratorin e Tiranës.
Ai theksoi se për 6 vite ku inceneratori i Tiranës duhet të kishte përfunduar, janë investuar vetëm 30 milionë euro nga 128 milionë që është nënshkruar kontrata.
Më tej ai nënvizoi se Prokuroria duhet të fillojë hetimet për kontratat e inceneratorëve.
“Ky është pjesë e kontratës koncensionare e inceneratorit të Tiranës. Kompania koncensionare ka pretenduar se nga burimet e saj të ardhurat e saj do t’i investonte tek inceneratori i Tiranës, 128 milionë euro në 6 vite. Kemi vetëm vitin e parë, duhet të investoheshin 38.5 mijë euro, në vitin e dytë 40.2 milionë euro, në vitin e tretë 20 milionë euro, në vitin e katërt 10.533.48 milionë euro, në vitin e 5 janë 15.600.147 milionë euro, në vitin e 6 duhet të investoheshin, 3.066.813 milionë euro.
Kompania ka rreth 100 milionë euro të ardhura. Nëse puna do të kishte nisur, që kur ka nisur kontrata, sot investimi duhet të kishte përfunduar. Kompania ka investuar vetëm 30 milionë euro në incenerator”- tha ai.
Sipas këtij dokumenti në 4 vitet e para duhet të ishin investuar jo më pak se rreth 110 milionë euro, janë investuar vetëm 30 milionë euro, mungojnë 80 milionë euro sipas planit të investimit.