Dosja e Alda Klosit gati për Gjykatë, çfarë zbuloi eksperti kontabël për pasurinë e ish-zyrtares…
- Editor 1
- Oct 15, 2023
- 2 min read

Prokuroria e Tiranës është njohur zyrtarisht me aktin e ekspertimit kontabël të zhvilluar për llogari të hetimit pasuror ndaj Alda Klosit, ish-zyrtare në Ministrinë e Financave.
Qëllimi i prokurorisë për kryerjen e një ekspertimi financiar, ishte për të zbuluar origjinën e ligjshme financiare të pasurive që janë në emër të Klosit, bashkëshortit të saj dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
ekspertiza ka nxjerrë me bilanc pasuror negativ ish-drejtoreshën, duke provuar kështu dyshimet e prokurorëve të Tiranës.
Pas njohjes me rezultatet e ekspertizës financiare, tashmë prokuroria e Tiranës ka nisur procedurat e mbylljes së çështjes penale me qëllim dërgimin si të pandehur në gjykatë të ish-zyrtares së ministrisë së Financave Alda Klosit, pastrueses së saj Rozeta Dobit dhe djalit të kësaj të fundit Havier Dobi.
Aktualisht Alda Klosi vijon të qëndrojë e izoluar në ambientet e Burgut të Grave në Tiranë.
Ish-zyrtarja, e konsideruar si një nga bashkëpunëtoret e besuara të ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, u arrestua në fillim të muajit Shkurt 2023, si person i dyshuar për posedimin e paligjshëm të 550 mijë euro, të sekuestruara në banesën e pastrueses Rozeta Dobi.
Arrestimi i Klosit erdhi, menjëherë pas dëshmisë së Rozetës dhe djalit të saj Havier Dobi. Mes dy grave të arrestuara, Klosi dhe sanitares Dobi, prokuroria ka realizuar dy ballafaqime.
Por në përballjen e tyre, dy mikeshat kanë mbajtur qëndrime të kundërta pasi ish-zyrtarja flet dhe i qëndron versionit për vjedhjen e shumës 120 mijë euro.
Ndërsa Dobi, tregon se me lejen e Alda Klosit ka marrë nga banesa e saj, mbi 500 mijë euro për ti fshehur në shtëpinë e saj që ndodhet në zonën e “Astirit”.
Të dy zonjat e përfshira në këtë çështje ndodhen në masën “arrest në burg”, ku Rozeta Dobi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim me djalin e saj Havier Dobi.
Ndërsa Alda Klosi, akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.
Sipas policisë, shuma prej mbi 400 mijë eurosh e sekuestruar në shtëpinë e sanitares pas arrestimit të saj është e pa justifikuar me burime të ligjshme nga ana e ish-zyrtares Klosi.