Pa gdhirë ende dita, në 14 Nëntor 2023, një grup marinarësh të kompanisë “Rozafa” të Gjergj Lucës, me në krye shefin e flotës së shoqërisë, Andon Nako, marrin pa leje një anije “Velierë” nga Porti i Limionit në Sarandë, me qëllim për ta ankoruar në Durrës.
Nuk i thanë askujt për këtë veprim. Por ishin të bindur se veliera ishte e tyre, pasi e kishin gjetur pa ekuipazh në mes të detit, pranë Italisë, në qershor të këtij viti.
Mjeti lundrues ishte i sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe nuk kishte asnjë vendim për t’u liruar. Por stafi i Lucës, mesa duket të sigurt se shefi i tyre ka lidhje të fuqishme politike dhe nuk do t’i ndodh asgjë për këtë veprim, e rimorkiuan Velierën dhe u nisën për rrugë.
Diku pranë Sazanit, rimorkiatori i Gjergj Lucës dhe Veliera e sekuestruar ndalohen nga Policia Kufitare dhe Guardian di Finanzia, të cilët ishin informuar për vjedhjen e velierës.
Diçitura: Gjergj Luca, pronari i kompanisë “Rozafa”
Në bordin e dy mjeteve u gjendën Andon Nako, si edhe detarët e punësuar nga “Rozafa”, të gjithë me origjinë egjiptiane, Mohamed Elshamy, Ibrahim Aboushahan, Abdou Elzantawu, Saimir Ghonim.
Ata u arrestuan në flagrancë, nën dyshimet se kishin kryer veprën penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim.
Dy ditë më pas, gjykata e Sarandës caktoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për drejtorin e “Rozafa-s”, Andon Nako, si edhe “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” për marinarët e tjerë.
Si “u zhduk” veliera nga Porti i Limionit
Me datë 14.11.2023, Policia ka marrë njoftim për ngjarjen e ndodhur në Portin e Limjonit, afër peshkimit Sarandë, ku ka ndodhur vjedhja e një mjeti lundrimi velierë, e cila ishte e sekuestruar nga Prokuroria e Sarandës.
Pasi janë kryer veprimet e para hetimore është bërë e mundur gjetja e velieres dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit shqiptar dhe katër egjiptjanëve, të cilët u gjetën në bordin e veljeres dhe anijes së peshkimit me mbishkrimin”Rozafa 14″.
Njëri prej të arrestuarve, Andon Nako, i pyetur nga policia, deklaroi se është i punësuar si Drejtor në kompaninë “Rozafa”.
Rreth një muaj para ngjarjes, në 19 Tetor 2023, kishte shkruar në Sarandë për të parë një fermë, i shoqëruar nga një shtetas japonez.
Diçitura: Mjeti lundrues “Velierë” në Portin e Limionit, Sarandë
Kanë shkuar tek porti i Sarandës, për të marrë anijen e kompanisë e për të shkuar tek ferma. Në krah të djathtë, kur ka zbritur në port, ka parë velieren e ankoruar në port, e cila ka qënë në gjendje të dëmtuar.
Pasi ka mbaruar punë tek ferma, është kthyer dhe të nesërmen ka shkuar te Kapiteneria e Durrësit dhe i ka thënë “Sa kohë parashikon Kodi Detar që kjo velierë të kalojë në pronësi të Rozafës”?
Ai e ka bërë këtë pyetje, pasi, rreth muajit qershor 2023, anijet e kompanisë “Rozafa” kanë qënë në detin Mesdhe dhe, në kufirin jugor të Siçilisë, kanë gjetur velieren në det të hapur.
Sipas tij, pasi kanë komunikuar me autoritetet italiane, i është bërë kontrolli dhe pas dy orësh iu është dhënë leje që të udhëtojnë së bashku me velierën e gjetur.
Ai thotë se kanë ardhur në drejtim të shtetit Shqiptar. Kapiteni i anijes i ka thënë se ku ta çojë velierën dhe Andon Nako i ka thënë që ta ankorojë në portin më të afërt, që ishte Saranda, si edhe të bëjë njoftimin e të gjitha autoriteteve në Sarandë.
Nako deklaron gjithashtu se, nga ana e autoriteteve italiane nuk iu është dhënë asnjë dokumentacion për sa më sipër.
Nga ana e autoriteteve shqiptare, policia ka kryer veprimet e para dhe nga prokuroria është disponuar që t’i kthehet pronarit, pa specifikuar pronarin.
Më tej, Nako ka deklaruar se, pasi janë njohur me vendimin e mosfillimit nga prokuroria e Sarandës, ai ka pyetur sërish tek Kapiteneria e Durrësit dhe te Regjistrit Detar, ku deklaron se e kanë sqaruar që duhet të kalojnë 6 muaj nga momenti që veliera është futur në territorin shqiptar, në mënyrë që të fillojnë procedurat për regjistrimin e mjetit në emër të kompanisë “Rozafa”.
Nako pretendon se i ka dhënë autorizim kapiteneria e Durrësit që ta lëvizte velierën nga porti i Sarandës për në Portin e Durrësit.
Veliera duhej të tërhiqej nga nje anije, koha të ishte e mirë, duke plotësuar procedurën e parashikuar në autorizim.
Një ditë para ngjarjes, pra në 13 nëntor 2023, Andon Nako deklaron se është nisur nga Tirana me një shofer. Rrugës iu është prishur makina dhe ka ardhur një punonjës i tyre, së bashku me një tjetër, dhe i ka marrë në rrugë.
Rreth orës 01:20 të datës 14 nëntor 2023, ka mbërritur në Portin e Limjonit të Sarandës, së bashku me një punonjës të kompanisë, shtetasin Turk Jakup Tepe. Janë futur me makinë tek pjesa e peshkimit, dera ka qënë e hapur, nuk ka pasur njeri, kanë zbritur të katër nga makina dhe i ka thënë njërit prej shoqëruesve që të zgjojë ekuipazhin e anijes “Rozafa 14”.
Diçitura: Vendimi i gjykatës së Sarandës detajon rrethanat e ngjarjes
Anija ka qenë e ankoruar tek pjesa e peshkimit. Pasi u zgjua ekuipazhi, kanë nxjerrë anijen “Rozafa 14” nga ankorimi dhe janë nisur, sepse duhet të ishte në Tiranë në orën 17:00.
Një nga egjiptianët që ishte pjesë e ekuipazhit të “Rozafa 14” është futur tek veliera, me qëllim që të mos përplasej me anijen e tyre, ndërkohë që ai, së bashku me 3 egjiptianët e tjerë, pjesë e ekuipazhit, janë ngjitur tek anija e Rozafës.
Kur kanë qenë midis Sazanit dhe Kepit të Triportit i ka ndaluar policia kufitare dhe Guarda Di Financa, të cilët i kanë bërë me dijeni se veliera është e vjedhur në Sarandë dhe duhet te ktheheshin në portin e Vlorës.
Çfarë thotë Polici roje
Nga ana e policisë gjyqësore është marrë deklarimi i Astrit Mamollarit, me detyrë trup shërbimi në portin e Limjonit Sarandë, i cili ka deklaruar se ka qenë i planizuar me shërbim në datën 13.11.2023 nga ora 19:00 deri në datën 14.11.2023 ora 07:00.
Ai thotë se, në orën 23.00, ka marre një kafe te lokali “Peshkatari” dhe më pas është kthyer në zyre. Rreth orës 24:00 erdhi makineria që shkarkon çimento, është parkuar para anijes, në atë periudhë kohe ai ka qenë jashtë.
Mamollari deklaron se ka bërë disa lëvizje jashtë dhe se, të paktën deri në orën 24.00, veliera ka qenë e ankoruar në port. Gjatë shërbimit nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë, por para një muaj i ka thënë një person i kompanisë “Rozafa”, Emiljano Luca, se velierën e kanë përfituar në bazë të ligjit dhe nuk përbën më provë të sekuestruar.
Punonjësi i policisë, Mamollari, i është përgjigjur se duhet të sillnin dokumentacionin, në mënyrë që ta merrnin velierën.
Në mëngjesin e datës 14 nëntor 2023, kur do të dorëzonte shërbimin, e ka marrë vesh që veliera nuk ishte, pasi i ka thënë kolegu dhe ai menjëherë ka pyetur vetëm Emiljano Lucën në telefon se pse e keni marrë velierën. Sipas Mamollari, Emiljano Luca ka deklaruar se: “Unë s’di gjë, sepse jam në shtëpi”. Më pas është njoftuar Salla Operative e Policisë për ngjarjen.
Autorizim? Po leja?
Për të sqaruar plotësisht situatën, hetuesit kanë administruar dosjen e sekuestrimit të mjetit velierë, pas gjetjes së saj në det të hapur.
Nga ky material rezulton se, më datë 13 qershor 2023 është njoftuar Salla Operative për mjetin lundrues që është sjellë në port nga anija e peshkimit “Rozafa”.
Nga ana e Prokurorisë së Sarandës, pas kryerjes së veprimeve verifikuese, është vendosur mosfillimi i procedimit penal, pasi nuk janë evidentuar rrethana të ndonjë fakti penal.
Diçitura: Gjykata caktoi masa të buta sigurie për personat e dyshuar për “vjedhjen” e velierës
Në vendimmarrje është disponuar për kthimin e sendit të sekuestruar me procesverbalin e datës 13 qershor 2023, tek pronari i ligjshëm, nëse nuk është e nevojshme të mbahet për procedura administrative të mëtejshme.
Gjithashtu, është administruar në datën 08.11.2023, kërkesë nga kompania “Rozafa”, kërkesë për ndryshimin e ankorimit të mjetit lundrues dhe kanë bashkëlidhur shkresën nr. 2145/2, datë 18.10.2023 administruar në Prokurori, një kthim përgjigje nga Sektori i Regjistrimit të mjeteve lundruese dhe detare, përgjigje e kthyer kompanisë “Rozafa”.
Bashkëlidhur shkresës është autorizim nr.2145/1 datë 16.10.2023, me anë të së cilës autorizohet lëvizja e mjetit lundrues, duke respektuar rekomandimet përkatëse, ndër të cilat është edhe kryerja e procedurave të nisjes në Kapitenerinë e Portit Sarandë dhe mbajtja e kontakteve të vazhdueshme gjatë gjithë lundrimit.
Janë administruar korrespondencat ndërmjet kompanisë “Rozafa” dhe autoriteteve të kufirit Sarandë.
Rezulton se pas autorizimit të datës 16 Tetor 2023 për lëvizjen e mjetit nga ana e Komisariatit të Kufirit Sarandë i është kthyer përgjigje kompanisë se mjeti lundrues Velierë është i sekuestruar dhe i lënë në ruajtje e nuk mund të lejohej lëvizja e mjetit. Përgjigja është dërguar edhe me email të datës 16.10.2023.
Me shkresën datë 20 Tetor 2023, nga ana e kompanisë “Rozafa” është kërkuar lejimi i lundrimit të mjetit. Nga ana e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, me email të datës 26 Tetor 2023, është dërguar kërkesa në Komisariatin e Kufirit dhe Migracionit Sarandë, duke kërkuar që të verifikohet dokumentacioni dhe të kërkohej nga e Prokurorisë vendimmarrje për pronësinë e mjetit lundrues velierë.
Është bërë këqyrja e pjesshme e telefonit të sekuestruar shtetasit Andon Nako shef i flotës së kompanisë “Rozafa”. Nga komunikimet e evidentuara, ka rezultuar se nga ana e tij nuk ishte njoftuar asnjë person për marrjen e mjetit lundrues velier, si në Portin Sarandë, ashtu edhe në atë të Durrësit.