top of page

DOSJA – “Jam Mazniku, më duhen 8K”/ Si u tentua të mashtrohej biznesmeni, bashkëpronar me vëllain e drejtorit të arrestuar të Veliajt

Prezantimi si ministri i Shtetit Për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku ka qenë karremi për të mashtruar biznesmenin Thanas Rapo me qëllim marrjen e një shume monetare. Megjithatë, një telefonatë që ky i fundit ka shkëmbyer me ministrin, ia ka bërë të qartë se nuk ishte Mazniku që i kishte kërkuar paratë. Në këto kushte, Rapo ka bërë kallëzim në polici, që ka çuar më pas në arrestimin e tre personave të akuzuar për veprën penale të mashtrimit, mbetur në tentative dhe kryer në bashkëpunim.

Ata u kapën më 5 Shtator në bordin e një automjet “Volkswagen” brenda garazhit të hotelit të Rrapos, në zonën e Potamit në Himarë, në pritje për të marrë paratë.

Hetimet

Sipas dosjes hetimore së prokurorisë së Vlorës siguruar nga “Gijotina”, Thanas Rapo është paraqitur në Komisariatin e Policisë Himarë më 5 Shtator. Teksa ka parashtruar se është pronar dhe administrator i hotel “Rapo’s” në zonën e Potamit, ai ka denoncuar se është tentuar të mashtrohet përmes një aplikacioni komunikimi.

Biznesmeni ka sqaruar se i ka ardhur një mesazh në aplikacionin “Signal” nga një kontakt me emrin Arbjan Mazniku. Thanas Rapo ka parashtruar se fillimisht përdoruesi i kësaj llogarie i ka kërkuar numrin e telefonit të pronarit të një shoqërie sigurimesh dhe më vonë i ka kërkuar një shumë parash “8E” që kallëzuesi ka menduar se bëhet fjalë për shumën 800 euro. Në vijim, ai ka sqaruar se përdoruesi i aplikacionit i ka shkruar se do të shkonte dikush t’i merrte. Pas kësaj bisede kallëzuesi ka komunikuar me ministrin Arbjan Mazniku, i cili e ka informuar se komunikimi nuk ka qenë me të, se nuk i ka shkruar ai dhe se duhet të paraqiste kallëzim penal pasi bëhej fjalë për një mashtrim.

Në kallëzimin e kryer, Thanas Rapo, ka shpjeguar se në orën 11:16, të 5 Shtatorit, përdoruesi i aplikacionit me emrin Arbjan Mazniku i ka shkruar sërish duke e informuar se në parkimin e hotelit të kallëzuesit ndodhej një automjet “Golf 5” me ngjyrë gri dhe se në këtë makinë ndodhej personi i cili do të merrte shumën e parave si dhe i ka nisur numrin e telefonit. Ky numër telefoni i ka bërë thirrje në telefon kallëzuesit, por ai nuk e ka hapur dhe ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka shoqëruar tre personat që ndodheshin në automjet. Kallëzuesi Thanas Rapo ka sqaruar se pasi është larguar makina e policisë, përdoruesi i aplikacionit me emrin Arbjan Mazniku i ka shkruar sërish duke i thënë që ta lërë personin pasi nuk e di se për çfarë ka ardhur, e më pas ka ndryshuar emrin e llogarisë në Aleksandër Frangaj.

Nuk ishte hera e parë

Grupi hetimor ka këqyrur telefonin e biznesmenit, duke marrë komunikime të nevojshme për hetimin si dhe personat e arrestuar, çiftin e bashkëshortëve Klajdi e Sidorela Dulellari si dhe të afërmen e tyre Daniela Murataj.

Nga këqyrja e komunikimeve mes dy vajzave, është konstatuar një bisedë e 3 Shtatorit ku flitet për të shkuar dhe për të marrë para në një vend, për mënyrën se si do të bëhet ndarja e kësaj shume si dhe rreziqet që ekzistojnë. Daniela Murataj ka shkruar në orën 12:38:24, të datës 03.09.2024, dhe ka marrë para edhe herë të tjera dhe nuk ka patur probleme, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Pronare e mjetit në të cilën u ndaluan çifti dhe Daniela Murataj, nga verifikimet e grupit hetimor, rezulton se është në pronësi të një tjetër vajze, e cila është shpallur në kërkim më 30 Gusht nga Drejtoria e Policisë Dibër, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Prokuroria sqaron se Muratajt “i janë gjetur dhe sekuestruar dy aparate celularë të markës ‘iPhone 13’ dhe ‘Nokia’. Aparati telefonik i markës ‘Nokia’ është gjetur i fikur me kartë sim brenda të vendosur, me kod Pin, brenda të cilit dyshohet se ndodhet karta sim me numër telefoni i përmendur në komunikimin me kallëzuesin”.

Dëshmitë

Thanas Rrapo, i pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore nëse kjo ngjarje i ka ndodhur dhe herë të tjera ai ka deklaruar se kjo është hera e parë që atij i ndodh një ngjarje e tillë dhe se menjëherë ka njoftuar policinë. I pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore nëse i njihte personat që gjendeshin në automjetin e markës “Volkswagen”, ai është përgjigjur se nuk njihte asnjë nga personat.

Sidorela Dulellari deklaroi ndër të tjera se ditën e ngjarjes e ka telefonuar Daniela Murataj e cila është kushërira e bashkëshortit të saj Klajdi Dulellari dhe i ka thënë se do të iknin në Himarë për të marrë një porosi të të dashurit të saj si dhe për të bërë plazh dhe ajo ka pranuar. Më pas ka shkuar në afërsi të banesës së tyre ,duke marrë atë dhe Klajdin, me një makinë të markës “Volkswagen”,makinë e cila është e një shoqes së saj (Enxhi) dhe se prej 3-4 muajsh e përdor ajo. Sidorela ka vijuar duke shpjeguar se gjatë rrugës Daniela i ka thënë se do të merrnin një shumë lekësh, shumën e të cilës ajo nuk e dinte dhe se do të shkonin në afërsi të hotel “Rapo’s” dhe se aty do të vinte personi, shoku i të dashurit të Danielës që do t’i jepte porosinë. Përgjatë kohës që kanë qenë duke pritur në parkimin e hotel “Rapo’s”, Daniela ka komunikuar me të dashurin e vet në telefon duke shkruar mesazhe dhe në asnjë moment nuk ka komunikuar me telefonatë zanore.

E pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore rreth komunikimevet ë gjetura në telefonin e shtetases Daniela Murataj, ajo ka deklaruar se: “Nenë datë 3 shtator kemi bërë këtë bisedë me Danielën, ajo më ka thënë mua se duke qenë se ajo nuk ishte në Vlorë, atë ditë të shkoja unë me Klajdinn të merjra një shumë lekësh nga të cilat do të merrnim diku te 3.000 ose 4.000 euro si shpërblim për lekët që do të merrnim.”

Dy personat e tjerë nuk kanë pranuar të jepnin shpjegime.

Pas këqyrjes së provave dhe marrjes së dëshmive, gjatë mbrëmjes së 5 Shtatorit, nga ana e oficerit të policisë gjyqësore u firmos arresti i tre personave të sipërpërmendur.

Me një vendim të katër ditëve më vonë, Gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e prokurorisë duke vendosur arrest shtëpie për dy vajzat dhe arrest në burg me afat 45 ditor për Klajdi Dulellarin.

Rapo bashkëpronar me vëllanë e Taulant Tushes, drejtorin e arrestuar të Veliajt

“Rapo’s Resort Hotel”, ku dhe u ndaluan tre të akuzuarit rezulton në bashkëshortësi të Thanas Rapos, në kuota të barabarta, bashkë me katër të afërm të tjerë.Thanas Rapo rezulton pronar dhe bashkëpronar edhe në disa biznese të tjera, me tyre një kompani që operon në fushën e turizmit dhe një firme ndërtimi.

Në këto kompani, Thanas Rapo, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është bashkëpronar me Sokol Tushën. Ky i fundit është vëllai i Taulant Tushes, ish-drejtori dhe njeriu i besuar i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet pas hekurave për dy çështje penale: Inceneratori i Tiranës dhe procedimi i njohur si “5D”.

bottom of page