top of page

Drejtoresha e Albana Koçiut blen 260 MLN lekë shiringa pa garë për spitalin e Erdoganit

Emrin e mirë që ka Spitali Memorial Fier si investim i ri i dhuruar nga Presidenti Erdogan, po e prish stafi që administron fondet. Pavarësisht se pas ndërtimit të këtij spitali nga qeveria turke, marrëveshja parashikonte që për tre vite do të menaxhohej nga turqit, duket se gjerat i ka marrë në dorë ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Kështu, Spitali Memorial po thith fonde të mëdha nga buxheti i shteti për mirëmbajtjen dhe blerjen e pajisjeve të reja.

Bëhen tenderë për akomodimin dhe transportimin e mjekëve turq, prokurime për hotele dhe dietat e tyre, për paisje pa fund, dhe prapë nuk kanë munguar raste kur qytetarët ankohen se shpesh herë nuk marrin shërbim duhur në këtë spital.

Fryma e abuzimit me tenderat injektohet nga lart, ku shembulli i keq është vetë ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e cila mban në krye të spitalit një mjeke të akuzuar për shpërdorim detyre.

Tenderi i fundit ka për objekt “Blerje materiale kirurgjikale MM2”. Me këtë prokurim do të blihen Kateter urinar, Age localization mamaro, Sonde blakemore, shiringa të ndryshme dhe sfungjer, për të cilat do të shpenzohen  rreth 260 milionë lekë.



Në këtë tender është shkelur ligji dy herë, prandaj nuk mund të jemi të sigurt që ato para do të shkojnë vërtetë për të blerë pajisjet mjekësore në cilësinë e duhur dhe në afatin e kërkuar.

Menjëherë, Open Data e ka vlerësuar procedurën me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. Për këtë prokurim ka paraqitur ofertë vetëm bashkimi i operatorëve OES DISTRIMED SHPK –EUROMED SHPK. Këto janë dy kompani mjaft të njohura që kanë përfituar fonde duke u favorizuar në tenderat e shëndetësisë.

Duke qenë se kishte në duar vetëm një ofertë, komisioni i spitalit duhej të kishte anuluar procedurat e tenderit. Këtë gjë e kërkon ligji, por ndikimi i Koçiut tek drejtoresha çon në shkelje pas shkeljesh. Qëllimi është t’i jepet menjëherë në tavolinë tenderi firmave DISTRIMED SHPK –EUROMED SHPK. Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që këtë tender ata e morën pa garë, shohim që oferta e tyre është sa 100% e fondit limit.

Firma OES DISTRIMED SHPK është në pronësi të Orjada Jahos dhe Ermal Rizajt, emra të dëgjuar në tenderët korruptivë. Vetëm disa dite më parë ne denoncuam tenderin që ata morën pa garë nga Spitali i Durrësit. Ndërsa firma “Euromed” është në pronësi të Engjëll Hoxhës dhe Hervin Forës, dy biznesmen të njohur për kontrabandë ilaçesh, që ua shisnin spitaleve përmes tenderëve.

Kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim drejtoreshën e Spitalit Memorial Fier, Rudina Degjoni, e cila akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.


Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.

Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve, duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik.

bottom of page