Ajo ishte një nga drejtoreshat e besuara të ish-kryetarit të bashkisë Durrës, Vangjush Dako, më pas u bë nënkryetare derisa e zëvendësoi duke u zgjedhur në këtë post. Dhe tani nxënësja po tregon se mund t’ia kalojë mësuesit. Kështu, me abuzimet që shfaq në menaxhimin e tenderave, kryetarja Emiriana Sako po shkon ngadalë drejt zëvendësimit të Dakos edhe në qeli.
Në çdo tender që firmos Sako, gjendet një shkelje të ligjit. Paratë e taksapaguesve durrsakë humbasin në prokurime që mbushin xhepat e biznesmenëve të favorizuar, pa u parë në investime reale.
Këto fjalë vlejnë kur shohim që tenderi i radhës bëhet vetëm për të nxjerr një fond nga arka e bashkisë. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt ‘Blerje materiale elektrike’, me të cilin do të blihen drita për rrugët dhe përçues elektrikë.
Në dokument nuk përcaktohet se sa do të jete vlera e shpenzuar për secilin mall që blihet, por drejtori i Sakos që mbulon blerjen, ka parashikuar që fondi limit do të jetë 125 milionë lekë.
Nga tabela e mallrave që do të furnizohen shihet se bëhet fjalë për 300 llamba së bashku me portollambat dhe telat që duhen për montimin.
Sigurisht vetëm Sako dhe drejtori i saj mund të bëjnë këto super shpenzime për të blerë poça dhe kabuj elektrikë.
Ndërsa vazhdojmë më tutje shfletimin e dokumenteve, dalin në dritë edhe shkeljet që janë bërë në këtë prokurim. Tenderi mban ‘Flamurin e Kuq’ të vendosur nga Open Data Albania, për shkak të mungesës së konkurrencës. Në fakt oferta kishte shumë: 9 kompani kanë dorëzuar deri në afatin e fundit të garës propozimet e tyre, por drejtori i Sakos nuk i ka marrë parasysh.
Nga 9 firma, ajo ka lënë të vlefshme vetëm një firmë për në fazën e fundit, ndërsa 8 të tjerat i ka skualifikuar menjëherë, edhe ose dy prej tyre kishin ofertë me vlerë më të ulët se firma “Anadea”. Tenderi është shënuar nga Open Data me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Kështu firma “Anade” në pronësi të Dritan Xheka ka marrë dhuratën e radhës antiligjore nga Sako dhe drejtori i saj. Nuk është e para sigurisht, pasi shohim që nga 36 kontratat në total që ajo ka marrë nga bashkitë, 11 prej tyre i ka përfituar nga Bashkia Durrës, me shkelje ligjore.
Si i fiton tenderat Dritan Xheka nga drejtori Hysko?
Ky është një prokurim, që përsëritet çdo vit nga i njëjti drejtor i bashkisë, Elion Hysko dhe çuditërisht mbeten të njëjta furnizime, por ndryshon fondi limit që vjen duke u rritur. Kështu, në shtator 2022, është zhvilluar tenderi me objekt Blerje materiale elektrike, viti 2022” me fond limit 9 943574,00.
Dhe cili e fitoi tenderin? I njëjti biznesmen që ka marrë edhe tenderin e vitit 2024. Në vitin 2022 është paraqitur si person fizik “Dritan Xheka” nga Bulqiza dhe ka marrë tenderin me “Flamur të kuq” nga bashkia Durrës. Ky është pronari i kompanisë “Anadea” që mori tenderin e këtij viti. Duket si maskimi për të evituar përsëritjen e emrit për një sy të lirë.
Në shtator 2023, Dritan Xheka është rikthyer në Durrës dhe ka marrë sërish tenderin për furnizim me materiale elektrike nga drejtori Hysko, por tashmë me një shifër më të madhe sepse fondi limit i caktuar ishte 16 639 985,00 lekë.
Biznesmeni është futur në tender sërish si person fizik dhe është favorizuar nga drejtori përmes një procedure që është vlerësuar me “Flamur të kuq” për shkak të shkeljeve të kryera.
Drejtori i ka dhënë edhe shumë tendera të tjerë herë pas here biznesmenit nga Bulqiza si për blerje kamionçine, rimorkiatori, autobotësh për ujë, kripë për ta hedhur në rrugë gjatë ngricave, shërbimi për rregullimin me drita led të elementëve të dekorit, dërrasa për binarë, blerje tuba korrogato, blerje çimento marka 400 (e paketuar me thasë) blerje vegla pune, madje edhe blerje police sigurimi, e të tjera furnizime.
Tenderat i janë dhënë herë firmës “Anadea” dhe herë personit fizik që është pronar i kësaj kompanie. Për tenderin e fundit na lind një pyetje për Sakon dhe drejtorin e saj: Kur u instaluan dhe kur u prishën llambat që u prokuruan në 21 mars 2023? Ndërsa fakti i dhënies së tenderave në shkelje të barazisë duke favorizuar herë kompaninë “Anadea” herë personin fizik “Dritan Xheka” duhet mbajtur shënim nga SPAK.