top of page

Dritan Agolli mbush me kafe “Kompleksin e Dijes”, 4.7 MLD lekë ia fal Faik Currit pa garë


Dritan Agolli është si “Fanti spathi” në lojën me fondet që bëjnë institucionet. Kështu, Agolli shfaqet së fundmi me një dorë lekësh që destinohen për arsimin e lartë. Në fillim të nëntorit u njoftua se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur ndërtimin e ‘Kompleksit të Dijes’,

Vetë kryeministri Rama përmes një postimi në “Facebook”, ndau pamje nga “Kompleksi i Dijes”. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo është një tjetër vepër arsimore që nis së shpejti. Në fakt, procedura e ndjekur është një vepër korrupsioni që tashmë ka nisur të hedh hapat e parë. Dhe është një bashkëpunim i Universitetit ‘Fan S. Noli’ me FSHZH, pa llogaritur bashkinë Korçë duhet të ketë qenë iniciatorja. Pra, janë bërë bashkë një tufë zyrtarësh dhe administratorësh që e kanë mendjen të shqyejnë fondin e këtij projekti.



Tenderi pa garë

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 2 “Kompleksi i Dijes, Korçë”.

Sipas të dhënave, financimi i këtij objekti është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2023-2026. Programi buxhetor quhet “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale. Burimi i financimit: Buxhet shteti”.

Punimet për këtë tender kanë nisur më 15 nëntor 2023 kur u hap edhe gara për dorëzimin e ofertave. Ajo që bie në sy është se po në të njëjtën ditë është mbyllur afati. Pra kompanitë e interesuara kanë patur afat vetëm 24 orë që të dorëzojnë aplikimet.



Duke parë vlerën e lartë të tenderit, 474,325,344 lekë (pa TVSH) janë paraqitur menjëherë 17 oferta të ndryshme. Dhe gjatë këtij muaji supozohej që komisioni i vlerësimit të ofertave të shqyrtonte me kujdes secilën prej tyre, por ka ndodhur e kundërta.

Më datë 13 dhjetor 2023, FSHZH ka shpallur fituesin, pasi i kishte skualifikuar të gjitha kompanitë e tjera. Open Data Albania evidenton se procesi nuk është zhvilluar sipas ligjit. Shihet se Dritan Agolli ka përjashtuar nga gara 16 ofertat dhe ja lënë mbi tavolinën e tij vetëm koktejlin e operatorëve  “XHENGO SHPK” – “CURRI” sh.p.k, me propozimin 3.5 miliardë lekë.



Për mungesë konkurrence dhe transparence ky tender ka marrë “Flamurin e kuq”, i cili jep alarmin për abuzimin që bëhet me këtë fond të konsiderueshëm. Në fund të fundit pranë universitetit do të ndërtohet me një godinë për të strehuar “inovacionin”, që është mbulesa për t’u dhënë hapësirë kafeneve dhe restoranteve.

Vallë për kafe dhe restorante kanë nevojë universitetet?

Të themi të drejtën, Agolli ka futur edhe dy apo tre salla leksionesh e studimi për t’ua mbyllur gojën studentëve dhe pedagogëve. Ndërsa pronarëve që do të kenë kafe dhe restorantet në këtë godinë iu ka rënë “bingo”, sepse ndërtesa do të jetë në mes të natyrës dhe në një zonë që popullohet në masë nga të rinjtë. I ka bërë mirë llogaritë Agolli dhe miqtë e tij në Korçë.


Tani e kuptoni pse skuqet nga shkeljet dosja e prokurimit për projektin tek “Fan S. Noli”. Curri është oligark i majmur nga Erion Veliaj, Bebet Beci, Dritan Agolli dhe i zyrtarë të tjerë që nuk pyesin për rregullat, por do të përvetësojnë deri sa SPAK t’i mbërthejë pas hekurave.









bottom of page