Dan Hutra nuk është një emër i padëgjuar për autoritetet e policisë, madje vrasjen e dyfishtë që kreu ditën e sotme e kishte paralajmëruar gati një vit më parë.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, Elena Hysa, ish-bashkëjetuesja e Dan Hutrës, i kishte vënë në dijeni uniformat blu për kërcënimet, që Dan Hutra sot i ktheu në vepra duke i marrë jetën dy grave.
Historia që çoi sot në vrasjen e dy grave nisi që një vit më parë, ku ish-bashkëjetuesja Elena Hysa, bëri padi në polici për partnerin e saj Dan Hutra, i cili në mënyrë të vazhdueshme sipas saj e kishte dhunuar, madje e kishte kthyer atë në një shërbyese, nga e cila kërkonte çdo gjë gati edhe larjen e këmbëve.
Pavarësisht dhunës dhe presionit të ushtruar ndaj saj, Elena Hysa priti me gëzim lajmin që kishte mbetur shtatzënë, megjithatë ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi partneri i saj e akuzoi se po i sillte në shtëpi një fëmijë të dikujt tjetër, pasi sipas verifikimeve të kryera nga ai, fëmija nuk ishte i tij.
Pas kësaj situate Hysa shkoi në shtëpinë e prindërve të saj për të gjetur paqe, por një gjë e tillë nuk ishte e destinuar për të pasi Hutra vijoi me presionet dhe i kërkoi familjes së saj të gjitha shpenzimet e fejesës që shkonin rreth 4 mijë euro.
Ai kërcënoi familjen e ish-bashkëjetueses duke i thënë “Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju, vajza juaj më ka ikur nga shtëpia. Nëse nuk gjeni paratë do jua bëj shtëpinë gjak, nuk mbaj kopilin tuaj”.
Pas kallëzimit të në polici, Elena Hysa mori urdhër mbrojtje ndërsa Dan Hutra vijonte të mohonte se ka ushtruar dhunë ndaj saj