Dritan Agolli i FSHZH po luan me paratë tona dhe i përdor ato për hesap të vetë. Në fakt Agolli luan me do kontratë që zhvillon, por projekti i fundit si për ironi titullohet “Dua të luaj”. Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua te luaj” (rajoni 3 dhe 4) Berat -Vlorë-Korçë-Gjirokastër”. Për të cilin janë lënë në dispozicion 3.7 miliardë lekë.
Ky prokurim është njoftuar që më datë 28 qershor në vitin 2022, ndërsa gara është mbyllur me datë 18 korrik. Po bëhet gati një vit dhe Agolli nuk vendoste dot se kujt t’ia bënte këtë dhuratë, pasi ujqërit e tenderëve janë shtuar më afrimin e zgjedhjeve. Por, më datë 10 maj 2023 firmosi kontratën me fituesin.
Kështu, iu deshën plotë 11 muaj që t’ia falë tenderin në shkelje të ligjit Pëllumb Salillarit.
Sikur duket nga dokumentet më poshtë vetëm firma “SALILLARI” sh.p.k ka paraqitur një ofertë me vlerë sa 99% e fondit limit.
Por, pavarësisht ofertës kaq të shtrenjtë, Agolli ia dhuroi këtë tender Salillari pa garë fare, pasi nuk kishte konkurrentë të tjerë. Edhe në këtë tender kaq të shtrenjtë, Agolli nuk i respektoi rregullat bazike të prokurimeve publike. Për këto shkelje tenderi ka marrë “Red Flag” nga Open Data Albania. E cila na trego qartë se si Autoriteti Kontraktor luan me fondet publike dhe i duhet gati një vit të mendohet për një tender.
Kaq kohë sa u mundua Agolli do kishin përfunduar punimet e parqeve në këto qytete. Ndërkohë në dokument shihet se afati që parashikohet të zgjasin punimet është mbi 18 muaj, pra 1 vit e gjysmë. Por, nëse SPAK dhe KPP do të shohin shkeljet e bëra, ka shumë shanse që të anulojnë procedurën.
Sigurisht, nëse veprohet sipas ligjit.
Kjo lë të kuptohet që edhe për vitin 2023 fëmijët në këto qytete do të luajnë në rrugë. Sepse qeveria luan me xhepat e prindërve të tyre.