Një sipërfaqe prej 5512 m3 truall e lidhur me Artan Gaçin dhe është vënë në sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme, pas një kërkese të SPAK.
Prona e dyshuar e përfituar me dokumente false është blerë më pas dhe përdorur nga Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të fituar statusin e investitorit strategjik.
Gjykata ka vlerësuar provat e SPAK dhe ka miratuar kërkesën për sekuestro preventive, e cila është ekzekutuar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gaçi, pak javë më parë u pyet nga SPAK pikërisht për këtë praktikë, ndërsa hetimet janë të hapura dhe të tjera veprime për verifikim pasurish po kryhen.
Kallëzimi i Belerit
Kallëzimi se toka që i dha statusin stregjik Argan Gaçit u denoncua në Prokurorinë e Psoaccme nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kallëzimi është depozituar në ambientet e SPAK më 21 gusht, dhe akuzon pikërisht se një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, është përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli. Kjo tokë, sipas kallëzimit, më pas është blerë dhe përdorur nga bashkëshorti i Xhacckës për të e përfituar statusin e investitorit strategjik.
“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall,” thuhet në padi.
Më tej sqarohen edhe falsifikimet për këtë pronë dhe miratimi i kryebashkiakut Jorgo Goro pavarësisht paligjshmërisë.
“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi,” thekson padia.
Qëllimi, sipas Belerit, ka qenë që Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi të përfitojnë tokën për të ngritur resortin turistik.
Sipas padisë, të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
“Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj. Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaxhka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj,” thuhet në padi.
Çifti Gaçi-Xhaçka investitorë strategjikë
Në 15 Korrik të vitit 2021, Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike, i jep statusin special projektit “Dreamades Luxury Suites”.
Projekti synon ndërtimin e një kompleksi turistik hoteleri dhe rezidencial me 5 yje në zonën e Gjilekës, në Himarë.
Investimi parashikohet në vlerë 5.556.192 euro. Subjekti aplikues është kompania “AG.TCC” shpk., në pronësi të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Për këtë investim, Këshilli i Ministrave, po nën drejtimin e Edi Ramës, miratoi të drejtën e shfrytëzimit të bregut para resortit, për llogari të kompanisë “AG.TCC Hotel Management”, në pronësi të kunatës së Olta Xhaçkës, shtetases amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton.