Historia e Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë në Ministrinë e Arben Ahmetajt dhe pastrueses Rozeta Dobit, e arrestuar fillimisht për vjedhjen e punëdhënëses së saj, mori një tjetër zhvillim. Kur pastruesja tregoi para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Situata është një inskenim i kryer nga dy gratë për të fshehur të vërtetën e origjinës së rreth 450 mijë eurove, si edhe bizhuterive të shtrenjta.
“Gijotina” ka siguruar deklarimin e plotë të Rozeta Dobit, dhënë në Prokurori në datën 6 Shkurt 2023, ku ajo tregon se “vjedhja” nuk është gjë tjetër, veçse një tentativë për të hequr paratë nga shtëpia e Alda Klosit, për shkak të problemeve që ajo kishte me ish-bashkëshortin.Në mes të Dhjetorit, kjo histori u raportua si një vjedhje e rëndomtë. Në 6 Janar, Policia arrestoi Rozeta Dobin dhe djalin e saj, Havier Dobi, si personat e dyshuar për vjedhjen.
Por, hetimet zbuluan disa të dhëna tërësisht të ndryshme, si edhe faktin që Dobi dhe punëdhënësja e saj, Alda Klosi, kanë komunikuar me mesazhe deri pak orë para arrestimit të pastrueses.
Në vijim është zbardhur seanca pyetje-përgjigje e Rozeta Dobit para prokurorëve. Në vijim, Prokuroria lëshoi urdhër-ndalimi për Alda Klosin.Pyetje: Në deklarimin e datës 03.02.2023, keni deklaruar, se keni punuar si sanitare te banesa e shtetases Alda Klosi, e konkretisht te një pallat i ri i cili është përballë pallatit të vjetër ku banon ish-bashkëshorti i saj e pikërisht në afërsi të Mozaikut të Tiranës. Lidhur me këtë banesë na jepni detaje specifike se në ç’kat është ajo, nga sa dhoma është e përbërë, dhe cfarë ka diçka specifike që ke fiksuar brenda kësaj banese?
Përgjigje: Po kjo banesë ndodhet në katin e katërt, në krahun e djathtë të shkallëve. Apartamenti është 2+1, dhe ka këtë përshkrim brenda : Sapo hap derën e jashtme hyn në sallon, i cili përballe ka një ballkon dhe në të majtë sapo hyn ka kuzhinën. Sapo mbaron kuzhina, nga salloni komunikohet me pjesën tjetër me anë të një dere, dhe sapo hapet kjo derë ka një korridor të vogël. Në krahun e djathte ka një banjo dhe dhomën e fëmijëve. Sapo hyn në dhomën e fëmijëve, në krahun e djathtë ka dollapin dhe dritaren. Në të majtë është një banjo tjetër dhe dhoma e çifiit. Sapo hyn në dhomën e çiftit në krahun e majtë gjendet banjo dhe përballë është dritarja. Kjo banesë siç më është thënë nga Alda dhe Altini, është dhënë me qira me gjithë orendi. Nga mobilimi kam të fiksuar, këndin ngjyrë jeshile. Poçat në sallon janë të varur në një dërrasë poshtë nga tavani. Sapo hyn në ballkon në krahun e majtë ka një piletë shkarkimi ujrash. Ndërsa në banjën e kalamajve kam të fiksuar në mes të pllakave të murit një bordurë ku ka të stampuar një tip fjogo dhe një stampim në formën e sapunit ngjyrë bezhë me kafe. Deklaroj se të dy banjot kanë nga një bordurë betoni, të cilat përdoreshin për vendosjen e shampove. Deklaroj se te ky pallat kanë edhe një garazh makine. Këtë fakt e kam mësuar nga biseda me Altinin, i cili më kishte thënë se Alda kishte marrë ca shishe me verë në garazh.
Pyetje: Në deklarimin e datës 03.02.2023, keni deklaruar, se ju është thënë nga shtetasja Alda Klosi se ajo kishte prenotuar një banesë te Kodra e Diellit. Lidhur me këtë banesë na jepni detaje më specifike rreth prenotimit të saj.
Përgjigje: Lidhur me këtë fakt deklaroj se më është thënë si nga Alda Klosi, bashkëshorti i saj Altin Klosi dhe mamaja e Aldës, se ajo kishte prenotuar një banesë te Kodra e Diellit. Nuk më është thënë se ku dhe si është prenotuar kjo banesë, por më është thënë se une do të kisha shumë punë për të kryer në këtë banesë.
Pyetje: Në deklarimin e datës 03.02.2023, keni deklaruar, se ju është thënë nga shtetasja. Alda Klosi se ajo kishte një banesë në Vuno. Lidhur me këtë banesë na jepni detaje më specifike.
Përgjigje: Lidhur me këtë fakt deklaroj se më është thënë si nga Alda Klosi, bashkëshorti i saj Altin Klosi dhe mamaja e Aldës, se kishin një shtëpi private në Vuno. Rreth këtij fakti deklaroj se bashkëshorti rrinte nga dy muaj me pushime bashkë me djalin në këtë banesë, Altini më thoshte se në këtë banesë jam kollovar. Pas ndarjes me Alden ai më thoshte që mua më do Alda të arrestuar dhe për atë shtëpi do të luftoj fort që të mos ma marrin, pasi do ia kaloj djalit në pronësi.
Pyetje: Cila është arsyeja që deklarimet e dhëna në polici në fazën e parë të hetimit, janë të ndryshme me ato që ju keni deklaruar në datën 03.02.2023?
Përgjigje: Po është e vërtetë që kam dhënë deklarime të ndryshme. Deklarimet që une kam dhënë në momentet e para të pyetjes si deklarues dhe person nën hetim, nuk janë të vërteta. Ato i kam dhënë në atë formë pasi nuk e besoja që situata do të arrinte deri këtu ku jemi sot. Pasi kisha besim tek Alda, që nuk do të arrinte deri këtu, pasi ne e kishim lënë që të fajësonte bashkëshortin, pasi ajo e donte patjetër në burg.
Pyetje: Në këmbim të ruajtjes së eurove dhe dollarëve, çfarë shpërblimi ju ka premtuar Alda Klosi?
Përgjigje: Lidhur me këtë fakt deklaroj se si shpërblim Alda do më jepte vlerën 10000 euro, si dhe një tharëse rrobash.
Pyetje: A e keni marrë, nëse po si e keni marrë këtë shpërblim nga Alda Klosi?
Përgjigje: Deklaroj se pas ditës së enjte, që kisha marrë eurot e dollarët, të dielën në darkë e kam telefonuar Alden, i kam thene se a do të vijë nesër në punë, ajo më ka thënë se po hajde. Të hënën pasdite kam vajtur në banesën e Aldes, kam sistemuar rrobat që i kisha bërë rrëmujë të enjten, kam pastruar shtëpinë, dhe në fund ka ardhur Alda e cila më ka bërë pagesën e muajit 100 euro, më pas më ka dhënë edhe shumën e shpërblimit 10.000 euro. Për tharësen më ka thënë se do të shikoj se si do më eci puna dhe kur të kthehem nga Amerika do ta blejë. Deklaroj se jam e gatshme që të përballem me Aldën dhe t’ia them të gjitha këto që po deklaroj sot dhe ato që kam deklaruar në datë 03.02.2023.
Pyetje: Ku i dërguat 10.000 eurot që i morët si shpërblim nga Alda?
Përgjigje: Këtë shumë e kam dërguar në shtëpi dhe e kam vendosur në sirtar.
Pyetje: Çfarë prerjesh ishin eurot që të dha Alda?
Pergjigje: Me sa më kujtohet prerjet kanë qenë 200 e 100.
Pyetje: Gjatë kohës që Alda ka qenë në Amerikë, ju ka telefonuar dhe çfarë keni biseduar?
Përgjigje: Po kam komunikuar. Alda me ka marrë në Whatsapp, më ka pyetur ku je, i kam thenë jam në shtëpi. A ke qenë nga Altini më thoshte, po i kam thënë. Si është gjendja e Altinit më ka pyetur. I kam thënë është shumë i qetë. Dua të deklaroj se Altini më kishte thënë se do ikte në Belgjikë, a ka vajtur apo jo nuk e di. Alda më tha se ishte në dijeni se Altini do ikte në Belgjikë pasi i kishte treguar vajza. Kjo bisedë ka qenë me saktësi nuk më kujtohet por dy-tre ditë para vitit të ri. Deklaroj se Alda më ka bërë mesazh në Whatsapp ku më ka pyetur si je dhe ku je, unë e kam marrë në celular në whatsapp dhe i kam thënë se jam në punë dhe pasdite do iki tek Altini, kjo telefonatë ka qenë në datën 06.01.2023, që përkon me ditën që jam arrestuar. Gjatë kësaj kohe më kërkoi një foto timen që t’ia dërgoja, unë nuk ia dërgova pasi nuk di të përdorë telefonin, por e mora në telefon në whatsapp dhe më është përgjigj “o bo bo, flasim më vonë se nuk kam internet”. Nga kjo ditë jam arrestuar dhe nuk kam komunikuar më me të. Këto që deklarova më sipër janë të regjistruara në telefonin tim. Në telefonin tim numrin e Aldes e kam të shënuar Alda.
Pyetje: Sa ka qenë pagesa mujore që ju ka dhënë Alda Klosi?
Pergjigje: Ajo më paguante 20 euro në ditë, punoja pesë ditë në muaj dhe merrja në total 100 euro.
Pyetje: Përveç banesës së shtetases Alda Klosi, ku keni punuar tjetër si sanitare?
Pergjigje: Kam punuar si sanitare te banesat e shtetasve Aranita Brahaj, Marsela Elmazaj, Kaltra Bregu, Ejona Kazaj, Rudina Karamuça, Altin Dine, Altin Klosi. Deklaroj se pagesa ka qenë 20 euro dita.
Pyetje: Po ju njoh me tabelën fotografike të datës 06.01.2023, ku në banesën tuaj janë gjetur e sekuestruar nga policia disa bizhu, çante, ora e xhupa. Këto sende të kujt janë dhe ku i keni marrë ato?
Pergjigje: U njoha me tabelën fotografike, në të cilën gjenden të fotografuara sendet e sekuestruara nga policia në banesën time. Bizhutë janë të miat dhe të ish-bashkëshortes së parë të burrit. Këto bizhu janë të falura dhe të blera nga unë një pjesë. Çanta me mbishkrimin “Valentino” është e Aldës. Kjo çante ka qenë te shtëpia e ish-bashkëshortit të Aldës, dhe e kam marrë për t’ia dërguar asaj pasi e kërkonte. Ora me mbishkrimin Maserati është e djalit dhe nuk e di se ku e ka blerë. Ora me mbishkrimin Armitron është e imja dhe ate ma ka bërë dhuratë djali i dajës që jeton në Amerikë.
Pyetje: Po ju njoh me tabelën fotografike të datës 07.01.2023, ku në banesën tuaj janë gjetur e sekuestruar nga policia disa bizhu, çantë, ora e xhupa. Këto sende të kujt janë dhe ku i keni marrë?
Përgjigje: U njoha me tabelën fotografike në të cilën gjenden të fotografuara sendet e sekuestruara në banesën time, dhe deklaroj siç e kam shpjeguar edhe më parë të gjitha këto bizhu janë të Alda Klosit. Se ku i ka blerë ato unë nuk kam dijeni”.
Pas deklarimeve të mësipërme të personit nën hetim Rozeta Dobi, në datën 06.02.2023, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore u krye verifikimi i thënieve të saj duke u mbajtur procesverbali përkatës.
Konkretisht, personi nën hetim Rozeta Dobi shoqëruar nga mbrojtësi i saj, oficerë të policisë gjyqësore dhe përfaqësues të Drejtorisë së Burgjeve kanë shkuar në Rrugën “Frederik Shiroka” tek pallati i ndërtuar nga subjekti “Brilant” shpk.
Referuar procesverbalit, deklaruesja ka treguar me gisht derën hyrëse të këtij pallati ku ajo ka punuar si sanitare. Në derën hyrëse në të majtë gjendet ashensori i pallatit dhe shkallët.
Deklaruesja u ngjit nëpërmjet shkallëve dhe ndaloi pikërisht në apartamentin nr. 35. Ajo tregoi me dorë se ky është apartamenti i shtetases i Klosi ku ka punuar si sanitare. Ky procesverbal është i shoqëruar dhe me fotot përkatëse nga vendi i verifikimit.
Gjithashtu me Aktin e Ekspertimit Teknik-Kompjuterik të telefonit dhe kartës Sim, nr. 06 datë 16.01.2023 ka rezultuar se ndërmjet personave nën hetim Rozeta Dobi dhe Alda Klosi ka patur komunikime të vazhdueshme telefonike dhe në aplikacionin Whatsapp deri më datë 06.01.2023 kur dhe është kryer ndalimi i personit nën hetim Rozeta Dobi.
Në datën 03.02.2023, ora 18.00, pas marrjes së deklarimeve nga personi nën hetim Rozeta Dobi, Prokuroria ka nxjerrë urdhrin e ndalimit të shtetases Alda Klosi.
Sipas Prokurorisë, urdhri i ndalimit të personit nën hetim Alda Klosi është nxjerrë në kushtet e urgjencës, pasi për shkak të mbylljes së orarit zyrtar dhe ditëve të pushimit, ka qenë e pamundur të paraqitet në Gjykatë kërkesa për caktimin e një mase sigurimi, duke shtuar kështu rrezikun e ndonjë ikjeje të mundshme të personit nën hetim.