Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, po bën pazare me fondet që janë akorduar për të rregulluar shtëpitë e familjeve rome. Ky komunitet në çdo qytet të Shqipërisë shpesh lihet pas dore, por ndoshta përfitojnë në këtë moment sepse po afrojnë zgjedhjet.
Tani që ju duhen votat, bashkiakët kujtohen që të bëjnë ndonjë shërbim për këto familje. Kështu po bën edhe Duro, që ka hapur tenderin me objekt ‘Përmirësimi i banesave ekzistuese për komunitete te varfra dhe te pa favorizuara’ me fond limit 310 milionë lekë.
Bëhet fjalë për riparimin e çative, rrjetit elektrik dhe përmirësimin e suvave të 65 banesave.
Ndërkohë po të shohim dokumentin më tutje, do të kuptojmë se edhe këtë herë Duro nuk ka menduar shumë për të përmirësuar banesat e këtyre qytetarëve, por për të xhiruar fondin 310 milionë lekë tek kompania e paracaktuar.
Për këtë arsye ai ka bërë manovra me kriteret dhe në fund ka firmosur tenderin pa garë. Në fakt mundësitë ishin që ky prokurim të mbyllej sipas rregullave ligjore, por kjo nuk do të ishte në interes të kryetarit.Shohim që në fazën e parë janë dorëzuar 7 oferta, por si për çudi 6 prej tyre u skualifikuan menjëherë, përfshirë këtu edhe ofertën e ARTYKA II Shpk dhe ASI INVEST Shpk, të cilat ishin më të lira, me nga 214 milionë lekë.
Kështu do të kurseheshin rreth 100 milionë lekë nga arka e bashkisë.
Por Duro favorizoi për në fazën e fundit firmën AD-STAR Shpk, me propozimin për ta kryer këtë punë me 220 milionë lekë ( pa llogaritur TVSH).
Kompania në pronësi të Alfred Çomës, pa u përballur me konkurrent tjetër u shpall menjëherë fituese ditën që u mbajt tenderi, por kontrata u mbajt larg syve të publikut deri më datë 20 shtator 2024.
Ky projekt, nisur nga vlera që po shpenzohet por edhe qëllimi, duhej zhvilluar me seriozitet dhe korrektësi. Kjo nuk ka ndodhur dhe Open Data Albania ka ngritur alarmin duke i vendosur tenderit ‘Flamurin e kuq’. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Kujtojmë se firma AD-STAR Shpk është një kompani e privilegjuar e kryeministrit Rama, pasi për disa vite resht ajo është mbuluar me tenderë vetëm për t’u marrë më zyrën e tij.
Për më shumë se një vit Rama është marrë më rregullime në godinën e kryeministrisë. Konkretisht, në periudhën dhjetor 2017-prill 2019, ku në ndërtesë janë kryer punime restauruese me vlerë të paktën rreth 1,55 milionë euro.
Sipas të dhënave të botuara nga Open Data Albania, kjo shumë i është paguar vetëm kompanisë Ad-Star shpk.
‘11 dhjetor 2017: rreth 300 mijë euro për restaurime në ndërtesën e Kryeministrisë.
19 janar 2018: rreth 470 mijë euro për restaurime në ndërtesën e Kryeministrisë.
20 dhjetor 2018: rreth 450 mijë euro për restaurime në ndërtesën e Kryeministrisë.
18 janar 2019: rreth 300 mijë euro për restaurime në ndërtesën e Kryeministrisë.
30 prill 2019: rreth 40 mijë euro për restaurime në ndërtesën e Kryeministrisë’, paratë e dhuruara nga Rama!
Kjo e shpjegon edhe arsyen përse kjo firmë mbetet e preferuara edhe për bashkitë e Korçëa dhe Devollit, të cilat e pasurojnë me tenderë pa garë!