Gjyqtarja me natyrë mafioze Pajtime Fetah, në urdhërat e bosit të krimit Suel Çela, kishte porositur goditjen deri në eliminim fizik të gazetarit Saimir Kodra dhe të avokatit Arben Llangozi në shenjë hakmarrje pasi Kodra dhe Llangozi kishin ekspozuar në emisionin Stop aferat korruptive të gjyqtares nga viti 2017 dhe në vijim. Gjyqtarja kërkonte që Saimir Kodra të sakatohej, ndërsa Arben Llangozi t’a pësonte si avokati Ravik Gurra, i cili u ekzekutua në vitin 2019 në mes të Elbasanit. Për të goditur Saimir Kodrën dhe Arben Llangozin, Pajtime Fetah kishte porositur Suel Çelën, kreu i një prej organizatave më të rrezikshme kriminale në vend. Sipas dosjes së SPAK, Suel Çela e informon gjyqtaren Pajtime Fetah se ishte investuar personalisht për të lokalizuar dhe goditur Saimir Kodrën, por që nuk e kishte gjetur dot pasi sipas tij ‘qeni flinte te Paza’.
Më pas, Suel Çela angazhon dy ushtarët e tij Endri dhe Klejdi Çopja për të realizuar aktin kriminal ndaj gazetarit dhe avokatit. (Endri Çopja është një personazh i njohur në botën e krimit dhe pjesë e bandës së Suel Çelës. Çopja akuzohet për atentatin me tritol ndaj Lulzim Kullës në janar të vitit 2018).
Në shkurt të këtij viti, një personazh i dyshimtë nisi të afrohej rreth zyrës ku Arben Llangozi ushtron detyrën si avokat. Në 13 shkurt të vitit 2024, personazhi i dyshimtë, i kamufluar me kapele dhe me njërën dorë gjithnjë në xhep, tentoi që të hapte derën e zyrës së Arben Llangozit. Avokati Llangozi kishte pikasur më herët personazhin e dyshimtë që po e ruante dhe kishte marrë masa shtesë sigurie, që nga mbyllja e derës së zyrës nga brenda deri tek informimi i strukturave ligjzbatuese për një rrezik të mundshëm që po i kanosej.
Prapaskena ka siguruar foto dhe video të personit, i cili dyshohet se është një killer i Suel Çelës dhe gjyqtares Pajtime Fetahu. Meqenëse vijojnë hetimet për këtë rast, po evitojmë publikimin e gjeneraliteteve të personit të dyshimtë.
Ndërkaq, në vitin 2020, Pajtime Fetah i ankohet Suel Çelës se Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, Ledio Sulkuqi, i është kthyer në shqetësim. Në 24 shtator 2020, Pajtime Fetah komunikon me Suel Çelën, të cilin e informon se kancelari nuk po rru urtë, ndërsa e pyet se ‘çfarë do t’i bajm këtij’.
Prapaskena mëson se Ledio Sulkuqi, si lancelar, ishte bërë pengesë për aferat korruptive të Pajtime Fetah, e cila përfaqësonte interesat e grupeve kriminale në gjykatë. Përpos kësaj, Ledio Sulkuqi po bashkëpunonte me SPAK, duke i vënë dispozicion dokumente dhe dosje që SPAK kërkonte.
Ndërkaq, mbrëmjen e 10 prillit 2022, Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, Ledio Sulkuqi u godit me mjete të forta në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, në një nga rrugicat e lagjes ku banonte. Kancelari është goditur me levë në trup nga persona të paidentifikuar. Kancelari mori dëmtime të rënda. Ka dyshime të forta që dhunimi i kancelarit është bërë me urdhër të Pajtime Fetah, ndërsa dhuna është ushtruar nga grupi i Suel Çelës.
Dyshimet i thellon edhe një fakt tjetër. Pajtime Fetah dhe Suel Çela flasin me njëri-tjetrin përmes telefonit të Renato Bodurrit, i cili ka të instaluar aplikacionin SkyEcc. Renato Bodurri figuron në letra banakier në lokalin Living të Çopjajve, por sipas dosjes së SPAK, Bodurri menaxhon bizneset e Suel Çelës.
Mbrëmjen e 10 marsit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, një grup prej katër vetash dhunuan me mjete të forta gazetarin Gjergj Zefi. Autorët e kishin ruajtur gazetarët në një makinë me xhama të errët. Makina ishte në pronësi të Renato Bodurrit. Ky i fundit, kur u arrestua, tha se nuk dinte gjë se makina e tij ishte përdorur në këtë ngjarje. Bodurri u lirua pas disa ditësh, besohet nën ndikimin e krimit të organizuar.