top of page

Eksportet në pikiatë/ Forcimi i lekut nis të zhbalancojë shkëmbimet tregtare


Kompanitë shqiptare shitën 5 miliardë lekë ose 47 milionë euro më pak mallra në tregjet e huaja muajin e kaluar krahasuar me Majin e një viti më parë, teksa forcimi i ndjeshëm i lekut ka filluar të zhbalancojë bilancin tregtar. Instituti i Statistikave raportoi se gjatë muajit të kaluar eksportet shqiptarë ranë në 40 miliardë lekë, nga 45 miliardë lekë që ishin për Majin e vitit të kaluar. Në terma relativë rënia është 11.7 për qind.


Por teksa eksportet tkurren, në krahun tjetër të shkëmbimeve tregtare ka ndodhur e kundërta. Vlera e importeve që Shqipëria importoi nga jashtë u rrit me 1.2 për qind, krahasuar me Majin e 2022-shit. Si rezultat, deficiti i balancës tregtare, treguesi që mat diferencën mes importeve dhe eksporteve, u rrit me 17.8 për qind krahasuar me një vit më parë.


Në total, si pesë mujor eksportet e kompanive shqiptare kanë rënë me 11 miliardë lekë ose mbi 100 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Ndërsa importet janë thuajse të barabarta me një rënie minimale vetëm 1 miliardë lekë krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar.


Të dhënat e muajit Maj tregojnë se efekti negativ i kursit të këmbimit mbi shkëmbimet tregtare po forcohet. Goditja përkeqësuese vjen nga të dy krahët. Forcimi i lekut ndaj euros dhe monedhave të tjera kryesore të globit i bën mallrat shqiptare më të shtrenjta për pjesën tjetër të botës. Në krahun tjetër, atë të importeve, mekanizmi vepron në të kundërtën duke e bërë importin e mallrave nga jashtë më të lirë.


Kursi i këmbimit ka filluar ndërkohë të përkeqësojë pozicionin e jashtëm të ekonomisë, çka dëshmohet nga zgjerimi dyshifror i deficitit tregtar gjatë muajin e kaluar.


bottom of page