Komisioni i Ligjeve i Kuvendit kërkon informacion nga institucionet publike pas ngjarjeve tronditëse të vrasjes dhe plagosjes së grave. Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e Kuvendit, Klotilda Bushka, u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës.
Bushka, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, informacion mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj autorit të krimeve.
Nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar informacion mbi zbatimin e ligjit nr. 62/2022 “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë i kërkohet informacion mbi zbatimin e detyrimeve për krijimin e bazës së të dhënave mbi vendimet gjyqësore për raste të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9669/2018 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.
Bashkisë Tiranë e Bashkisë Kamëz i kërkohet informacion nëse ka referim në mekanizmat e koordinuar te referimit të rasteve të dhunës në familje sipas detyrimeve ligjore për autorin e krimeve në fjalë dhe masat e marra, nëse ka.
SI NDODHI NGJARJA?
Mesditën e së mërkurës, Tirana dhe e gjithë Shqipëria u trondit nga vrasja e 3 grave dhe plagosja e 3 të tjerave, në 3 vende të ndryshme, brenda një kohe fare të shkurtër. Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj.
Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.