top of page

Elton Arbana shkel gazin: 400 MLN lekë dy miqve të tij për të asfaltuar 7 rrugë


Elton Arbana do të bëjë një mrekulli në Shijak: do të rikonstruktojë 7 rrugë brenda 6 muajve! Eh e pabesueshme sigurisht, nëse kemi parasysh se abuzimet e kryebashkiakut nisin qysh në prokurimin e fondit. Prandaj do të ishte lajm i mirë për qytetarët që Arbana do të përfundonte 7 rrugët, por ka arsye të dyshojmë se puna jo vetëm nuk do të kryhet në afat, po as më cilësi.

Pra, duke parë se çfarë kurdiset në këtë tender, kuptojmë që jo gjithçka është ashtu si duket. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt  “Rikonstruksion i 7 rrugëve të brendshme në bashkinë Shijak dhe Nj.Ad Gjepalaj, Burimi i financimit: Të ardhurat e bashkisë”.

Tenderi është hapur në tetor 2023 dhe është zhvilluar në nëntor 2023, por vetëm në 12 dhjetor është bërë publik fituesi.


Më saktë duhet të themi është bërë publik emri i biznesmenit që mori dhuratën nga Elton Arbana. Vetëm fitues nuk mund të quhet, përderisa nuk ka garë për kontratën me vlerë 400 milionë lekë (pa TVSH).

Sipas dokumenteve, fillimisht për këtë tender janë paraqitur 3 oferta, por dy prej tyre janë skualifikuar menjëherë dhe nuk janë marrë në shqyrtim nga Elton Arbana dhe stafi i tij në komisionin e vlerësimit të ofertave.

Kështu i është hapur rrugë firmës A.L-ASFALT në pronësi të Astrit Varaku dhe Luan Memës.

Kryetari ua ka dhënë fondin në shkelje të ligjit. Prandaj Open Data e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq”, që jep kambanën e alarmit për një risk të madh të korrupsionit.



Sakaq kthehemi prapë tek projekti dhe shohim se sipas dokumenteve do të arnohen disa rrugë në njësinë administrative Gjepalaj. Më saktë janë disa rrugica lagje, ku gjithmonë mbushen gropat dhe kurrë nuk është hedhur një shtresë e mirë betoni, për të përmirësuar gjendjen. Nga këto arnime pritet të bëjë sërish zoti Arbana me miqtë e tij Varakun dhe Memën dhe për më tepër, asfaltimet parashikohen të kryhen në dimër.

bottom of page