top of page

Erion Isai i fut në xhep Behar Çukajt kontratën 580 MLN lekë për naftë deri në 2027


Pronari i BOVL OIL, Behar Çukaj, e ka tashmë në dorë edhe në bashkinë e largët të Kolonjës. Për këtë është favorizuar nga kryetari i bashkisë, Erion Isai, i cili po shfrenon pasionin për shpërdorimin e buxhetit.

Këtë radhë, Isai ka firmosur një kontratë për furnizim tre vjet të bashkisë me karburante me kompaninë OLSI shpk që është pronë e Çukajt. Isai është treguar zemërgjerë, sepse ka blerë naftë edhe për kryetarin që do ta pasojë përtej mandatit të tij. Me siguri ka pasur konkluzione nga analizat e stafit të vet se Lufta e Tretë Botërore mund të shpërthejë këtë vit, kështu që ka nxituar të blejë naftë para se të tronditet bursa.

Si pasojë, fondi i tenderit për furnizimin me naftë është fryrë përtej limiteve dhe vlerës së pritshme sipas buxhetit të bashkisë. Janë në lojë 58,333,333.33 lekë ( pa TVSH) madje është llogaritur edhe vlera në euro, që të shmanget çdo rrezik nga kursi për Behar Çukajn. Kontrata e ka vlerën 561761, 6 euro sipas kursit të Bankës së Shqipërisë për momentin kur bëhej pazari.

Ky prokurim, i shpallur më 27 shkurt 2024, është mbi kufirin e lartë monetar sepse janë bashkuar fondet e tre viteve, Duke zmadhuar vlerën e kontratës, natyrshëm janë eliminuar nga gara shumë kompani që mund të merrnin pjesë në garë.

Tenderi është ndarë në dy pjesë sipas produkteve: Loti nr.1, blerje karburant GAZOIL (10 ppm ULSD) diferencë për vitin 2024 , vitin 2025 dhe vitin 2026, me fond limit 58,000,000 lekë pa tvsh; Loti nr.2, blerje karburant Benzine (Premium Unl 10 ppm) diferencë për vitin 2024 ,vitin 2025 dhe vitin 2026, me fond limit 333,333.33 lekë (pa tvsh) ose 3,210 Euro (pa tvsh).

Kursi zyrtar i këmbimit sipas Bankës së Shqipërisë në datë 26/02/2024, që është marrë për bazë, ishte 103.84 Lekë/ Euro Në fakt furnizimi nga OLSI sh.p.k. përfshin edhe vitin 2027. Po pse nuk e bëri Erioni kontratën deri në vitin 2040? Ndoshta ka ndërmend të blejë makina elektrike më vonë!

Sipas kontratës, Operatori Ekonomik OLSI merr përsipër që të konvertojë të gjithë sasinë e litrave të tollonave letër në formë biletash në lëng me bot, deri në përfundimin e plotë të kontratës, sipas nevojave të Bashkisë.

Tollonat letër duhet të jenë pa skadencë dhe të jenë të përdorshme edhe gjatë vitit 2027. Kur jetojmë në epokën dixhitale dhe kompanitë e Behar Çukajt kanë teknologjinë e shitjes me karta elektronike, Erion Isai e kërkon naftën me tollona! Këtë çudi ndoshta e kontrollon KLSH, sepse nuk mund ta kuptojmë përse bashkia ka zgjedhur metodën e vjetër të furnizimit. Paratë e këtij super tenderi janë të taksapaguesve kolonjarë. Burimi i financimit është buxheti i bashkisë sipas vendimeve të këshillit Bashkiak të konfirmuara edhe nga prefekti i qarkut Korçë.




Sa makina ka bashkia dhe institucionet në varësi të Erion Isait, që duhet të harxhojnë 418 492 litra gazoil dhe 2578 litra benzinë? Sa kilometra përshkojnë secila në një vit? Pse bëhet blerje me “marrëveshje kuadër trevjeçare”? Në dokumentet e tenderit mund të gjesh gjithçka rreth “cilësisë”, licencave, garancisë, kapacitetit, por asnjë rresht për argumentimin e fondit limit.

Tenderi me risk korrupsioni

Tenderi i Erion Isait është vlerësuar me “Flamur të kuq” nga Open Data për riskun e korrupsionit. Kështu, në këtë prokurim ka marrë pjesë vetëm kompania OLSI e cila ka propozuar ofertën me vlerë 57,751,896 lekë, që është sa 99% e fondit limit. Por nuk mbaron këtu, sepse tenderi fikson edhe një normë fitimi të lartë, të shprehur në vlerë absolute 24 lekë/litër.



Duke pasur mbi tavolinë vetëm zarfin me ofertën e Behar Çukajt, kryetari Isai ka lidhur menjëherë këtë kontratë. Më 22 prill 2024, kryebashkiaku ka firmosur pa u përpjekur të kursejë ndonjë lekë nga arka e bashkisë, në mungesë të konkurrencës, duke abuzuar me tenderin, duke shpenzuar edhe taksat që do të mblidhen vitet e ardhshme!

Përfituesi, biznesmeni Çukaj ka një rrjet kompanish në sektorin e karburanteve, por vetëm me OLSI shpk ka përfituar 91 kontrata publike për furnizimin e institucioneve, ku mbi 90% e tyre janë dhënë me “Flamur të kuq”, në kushtet e shkeljes së ligjit nga zyrtarët e prokurimeve.

Kujtojmë se kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai, më 30 maj 2023 është thirrur pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar, ku është marrë mbi tre orë në pyetje. Isai ka dëshmuar për hetimet që po kryhen në lidhje me ndërtimin e aksit rrugor Korçë -Ersekë.

Ndërsa në prill 2022, u publikua fakti që Erion Isai ka rënë në rrjetën e përgjimeve të SPAK në kuadër të një hetimi që çoi në pezullimin nga detyra të 9 zyrtarëve. Sipas dosjes hetimore, Isai bisedonte me një këshilltar të bashkisë për kërkesën e një biznesmeneje të lëndëve drusore.

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai komunikonte me shtetasin Lirjan Hyseni, anëtar i Këshillit Bashkiak Ersekë, për shitjen e një sasie prej 1 mijë metra kub lëndë drusore.

Këshilltari Lirjan Hyseni, me 15 tetor të vitit 2021, i kujton Erion Isait, se në këtë rast “bën një dorë të mirë…”. Kjo bisedë zhvillohet mes tyre një ditë pasi Hyseni kishte takuar biznesmenen e druve në Korçë, Mirela Matraku. Kjo e fundit kërkonte të blinte sasinë e druve, ndërsa Isai i komunikon Hysenit që Matraku duhet të marrë letrat dhe të shkonte ditën e martë, por fillimisht duhej të kontaktonte, përgjegjësin e Pyjores në Bashkinë Kolonjë.

Pas kryerjes së lëvizjeve përkatëse, vendoset që biznesmenia të merrte për pak ditë 500 metra dru dhe 500 të tjera në ditët e muajit nëntor.

Me sa duket, Isai paska marrë garanci se ka dalë “i pastër” nga hetimet dhe po vazhdon sërish aferat e tenderave. “Isha në SPAK, ishte hera e parë që vij në prokurori dhe ishte këndshëm”, do të shprehej kryebashkiaku pasi i mor në pyetje.

bottom of page