top of page

Eriselda Sefa bashkëpunon me ndërtuesin e akuzuar për mashtrim, i fal 60 MLN lekë pa garë


Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, që kur ka ardhur në krye të Bashkisë Lushnje merret me propagandë për rregullimin e rrugëve, por në fakt janë vetëm premtime që zgjasin pa fund. Kësaj zvarritjeje i shtohet fakti se kontratat e prokuruara skuqin nga shkeljet.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Mur me pilota në rrugën Vëllezërit Frashëri”. Sipas preventivit do të bëhen gërmime dhe më pas futja e shufrave dhe betonizimi në një pjesë të rrugës, që kur të bëhet rikonstruksioni i saj, të mos rrezikohet shembja, pasi ngjitur ndodhen disa shtëpi.

Garë për këtë tender Sefa ka hapur edhe në vitin 2022 me një vlerë 50 milionë lekë, por asaj kohe nuk u vazhdua me procedura pasi asnjë kompani nuk shfaqi interes.



Por tani dy vitesh, përveçse kontratës i janë shtuar 10 milionë lekë, shohim që kryebashkiakja ia ka dhuruar fondin një kompanie pa zhvilluar garë sipas ligjit.

Për këtë tender me vlerë 60 milionë lekë janë paraqitur 3 oferta, por 2 prej tyre janë skualifikuar nga gara qysh në fazën e parë, ndërsa shqyrtimin final, mbi tryezën e kryetares mbeti vetëm oferta e firmës Aida Construction, në pronësi të Andon dhe Aida Kristos.

Propozimi i tyre ishte një nga më të shtrenjtit dhe nuk u përballë me asnjë konkurrent, por Sefa vendosi ta lidhte kontratën. Për këtë tender pati edhe një ankesë. Prandaj kjo kontratë ka marrë “Flamurin e Kuq” nga Open Data dhe është një kambanë alarmi e shtuar për shpërdorimin që po iu bën Sefa fondeve për infrastrukturën.


Në fakt firma fituese është e njohur për tenderët që merr në rrethin e Lushnjës, pasi në çdo garë që futet shpallet fituese edhe pse shpesh nuk kryen as punën që i kërkohet në kontratë dhe për të cilën merr paratë nga taksat e qytetarëve.

Një rast i tillë është denoncuar nga deputeti Erion Brace në shtatorin e vitit që lamë pas.

Braçe ka denoncuar ndërtuesit e godinës së re të Bashkisë së Divjakës, për të cilën thotë se është thjesht një tmerr në fasadë, në ajrim e gjithçka tjetër.

Sipas tij, Bert Yzeiraj, Fred Ibrahimi, Andon Kristo dhe Skënder Çela shkatërruan një projekt fantastik, teksa shton se asnjë tjetër nuk ka guxuar të tallet kaq shumë me një vepër publike.

Kështu, Andon Kristo do të vazhdojë të përfitojë kontrata të tjera pa u ndjerë si nga Bashkia Divjakë edhe nga Bashkia Lushnjë, sepse kryebashkiakët kanë nevojë për “bashkëpunimin” e tyre.

bottom of page