
Gazetari Ermal Mulosmani ka treguar disa nga gjërat që i bënë përshtypje pas prezantimit të lëvizjes më të re "Shqipëria bëhet", të Adriatik Lapajt.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Mulosmani thotë se në aktivitetin e prezantimit kishte persona të rinj që nuk kanë qenë më parë pjesë të politikës.
Ai deklaron se bashkimi dhe sistemi me lista të hapura janë dy çështje të tjera që duhet të zbatohen.
Gazetari shprehet se të gjitha partitë e vogla politike kundër pushtetit dhe partitë e mëdha oppozitare duhet të bëhen bashkë dhe të krijojnë një pol të tretë, pa paragjykime.
“Isha sot te aktiviteti hapës i Lëvizjes "Shqipëria bëhet". Më pëlqeu se pashë fytyra të reja, djem e vajza që nuk i njihja. Uroj sa më shumë rini t'i bashkohen politikës sepse vetëm kështu mund të vijë ndryshimi.
Tjetra gjë që më pëlqeu ishte një nga tezat e Lapajt që kishte të bënte me bashkimin. Nuk ka ndryshim pa bashkim. Le të bashkohen të rinjtë si fillim- Lapaj, Qorri, Thurja. Mirë do ishte tu bashkoheshin edhe të tjerët që pretendojnë se janë kundër këtij pushteti, ftesa duhet tu shkojë pa komplekse dhe paragjykime. Le të krijojnë një alternativë, një pol të tretë.
Sistemi me lista të hapura përcakton edhe të parin e koalicionit: Ai që merr më shumë vota popullore. Lista shumëemërore bëhet më e plotë dhe kredibël sa më shumë të bashkohen të rinjtë.
Dhe në fund një gjë që më bëri përshtypje por që nuk ka lidhja fare me Lëvizjen e Lapajt. Një kamarier që shërbente shampanjë me një tabaka pengohet, i bien gotat dhe krijohet një zhurmë. Siç ndodh rëndom në këto raste, njerëzit kanë mirëkuptim me kamarierin, i thonë "ska gjë" e gjeste përkrahjeje. Por çudia ndodhi nga kamarieri. Djalë i ri, ndoshta te të 20-at, atë e kapi një dalldi, filloi të kapte gotat e mbetura e t'i gjuante përtokë me inat të madh. Skishte burrë ta pajtonte. U bë i frikshëm, shante, bënte gjeste inatçore prej të harbuari. Dikush e pyeti me zë të ulët: "Pse shqetësohesh?" Iu kthye: "Kam nerva mor burrë, mu këputën, më lër pak...". Ndenji nja 10 minuta ashtu, me nerva.
Hajde merre vesh se kush e kishte bërë me nerva...”, nënvizon Mulosmani.