Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo blen bitum e zhavorr thjesht për të mbushur xhepat e Shkëlqim Kapllanit, sepse rrugët nuk riparohen në mes të shirave. Me tenderin më të fundit, Demo ka vendosur të blejë materiale për asfalto-beton. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Agjencia e Shërbimeve Publike Berat” me fond limit 254 milionë lekë (me TVSH) të firmosur më datë 1 nëntor 2023. Gara është mbyllur më datë 30 tetor 2023, një muaj pas dorëzimit të ofertave. Në fakt stafi i Demos nuk është marrë me shqyrtimin e ofertave të konkurrentëve, por i ka skualifikuar menjëherë qysh në fazën e parë 3 prej pjesëmarrësve. Dhe para komisionit mbeti vetëm oferta e kompanisë SHKELQIMI 07 SHPK, në pronësi të Shkëlqim Kapllanajt.
Kështu, pa humbur kohë, vetëm dy ditë më pas, kryetari firmosi kontratën me Kapllanajn.
Meqenëse Demo këtë tender e firmosi në shkelje të ligjit mbi prokurimet, ka marrë “Flamurin e kuq” nga Open Data, që vlerëson riskun e korrupsionit.
Ky “Red Flag” duhet të shërbejë si një kambanë alarmi që duhet të merret në konsideratë nga instancat përkatëse. E kemi fjalën për Agjencinë e Prokurimit, Komisionin e Prokurimeve Publike, KLSH dhe SPAK-un. Bëhet fjalë për miliona lekë që se do të blihen bitum dhe zhavorr për shtresa asfaltike, por nëpër rrugët e qyteti nuk shohim asfalt të ri. Beton shohim vetëm në ndërtesat që bëhen pa kriter.
Aq me shpejtësi e ka mbyllur këtë kontratë Demo, sa ka disa gabime, që në fakt mund të kushtojnë shumë dhe lënë hapësira për abuzime.
Në dokument thuhet se kontrata është nënshkruar me 1 nëntor 2023 dhe afati përfundon më datë 30 nëntor 2022.
Pra, bitumi qenka marrë vitin e kaluar dhe tenderi është bërë sa për të justifikuar veprimet e mëparshme! Apo është lapsus?! Një gjë është e sigurtë, se kontrata me këto data është e pavlefshme.
Shkëlqim Kapllanaj vëllai i ish-kryebashkiakut te Mallakastrës dhe ish-deputeti Agron Kapllanaj. Edhe pse është i djathtë, kjo gjë nuk e ka penguar aspak kompaninë “Shkëlqimi 07” që të marrë tendera në bashkitë që qeverisen nga socialistët. Sepse Agroni vitet e fundit u nda nga grupi politik i Berishës.
Shkëlqim Kapllanaj njihet si biznesmen i preferuar i Erion Veliajt, pasi ka marrë tenderë me vlerë miliona euro në vepra infrastrukturore, si për shembull tek lagjja “5 maji” në Tiranë.