top of page

Eshtrat e 44 të zhdukurve në Spaç, Autoriteti i Dosjeve nis hetimet për varret e dyshuara


Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit njofton se sot ka vendosur nisjen e procedurës së hetimit administrativ për verifikimin mbi vendvarrimet e dyshuara, për qartësimin e fatit të dyzetekatër të zhdukurve.

Në bashkëpunim me organet e pushtetit lokal, zonat ku do të kërkohet për eshtrat e tyre do të ruhen nga tjetërsimi, ndërsa në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese do të punohet për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.

Grupi i specialistëve të Autoritetit, në bashkëpunim me institucionet vendore punuan për mbledhjen e fakteve paraprake, dëshmive dhe të dhënave rreth burgut të Spaçit me qëllim hedhjen dritë mbi pasojat që ka sjellë shfrytëzimi i punës dhe dhuna ndaj të dënuarve në Kampin e Punës së Detyruar-Spaç.


Autoriteti mori nismën në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve në Spaç, gjatë së cilës lindi si nevojë hetimi i thelluar mbi ngjarjen, arsyet që sollën zhvillimin e saj dhe pasojat.


Nisur nga analiza e dokumentacionit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare mbi punën e detyruar, ka lindur nevoja e verifikimit të dyshimeve, të raportuara, për vendvarrimet e fshehta dhe qartësimit të fatit të personave që kanë humbur jetën në këtë burg, si rezultat i ekzekutimeve, vrasjeve apo edhe vdekjeve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit.


Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 (dyzetë e katër) ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje.


Sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si:


Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit, varroseshin nga personeli i burgut në vende jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre, në çdo rast që të marrin trupin;

Vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jug-perëndim të Burgut të Spaçit;


Si dhe në disa raste ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara.



bottom of page