top of page

Euro kthehet sipër 105 lekëve për herë të parë që nga fundi i korrikut


Euro po fiton terren në kursin e këmbimit me Lekun gjatë kësaj jave dhe është kthyer sipër nivelit të 105 lekëve për herë të parë që nga fundi i muajit korrik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të mërkurën me 105.09 lekë, në rritje me 1.26 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera. Dollari Amerikan u këmbye sot me 96.2 lekë, në rritje me 1.65 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

Paundi Britanik u këmbye me 122.72 lekë, në rritje me 2.7 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Edhe për Paundin, njëlloj si për Euron, bëhet fjalë për vlerën më të lartë që nga data 28 korrik.

Pas mesazheve të dhëna nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji, kursi i Euros u duk lehtësisht më i stabilizuar, duke qëndruar për disa ditë në nivelet e 103-104 lekëve.

Ringritja e lehtë e Euros në kursin e këmbimit mund të shpjegohet pjesërisht me zbutjen e elementit sezonal. Të dhënat historike tregojnë se gjatë sezonit veror kursi i Euros e arrin nivelin më të ulët në fillimin e muajit gusht, ndërsa në vazhdim ka një tendencë të lehtë të korrektimit në rritje.

Në fund të kësaj jave, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e dytë të blerjes së valutës për muajin gusht. Shuma e parashikuar për tu blerë në raundin e parë është 5 deri në 9 milionë euro, por duke marrë në konsideratë ankandet e mëparshme pritet që, duke përfshirë edhe raundin e dytë të ankandit, blerjet të arrijnë deri në 17-18 milionë euro.


Përgjithësisht, efekti i ankandeve të Bankës së Shqipërisë është më i ndjeshëm në ditët pararendëse, kur subjektet që marrin pjesë në ankand mund të dalin në pozicion blerjeje.

Banka e Shqipërisë vendosi këtë muaj që të rrisë blerjet e planifikuara të Euros në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 milionë euro dhe 300 milionë euro, nga intervali i mëparshëm 160 milionë -220 milionë euro. Ky vendim erdhi si një formë për të tërhequr sasinë e madhe të valutës nga tregu dhe për të frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut.

Një faktor tjetër që mund të fillojë të ndikojë tregun valutor në vazhdim është edhe importi i energjisë elektrike. Në pjesën e parë të vitit, prodhimi i bollshëm i energjisë në vend nuk krijoi nevojë për të importuar energji elektrike.

Por, në dy muajt e fundit, rënia e prodhimit ka bërë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të rifillojë importet e energjisë. Duke marrë në konsideratë se importet prekin vlera të konsiderueshme, ky faktor mund të ketë ndikuar në rritjen e kërkesës për valutë.



bottom of page