Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, bënë çudinë: blen dru zjarri në pranverë. Bashkia Durrës ka mbyllur me 7 prill 2023 kontratën me vlerë 400 milionë lekë me objekt “Blerje dru zjarri e pellet për Qendrën Ekonomike të Arsimit në Durrës”.
Duket se Sako nuk e ka të sigurt zgjedhjen për një mandat të ri. Prandaj po nxiton para zgjedhjeve të harxhojë të gjitha paratë e arkës së bashkisë. Në kuadër të këtij nxitimi Sako kryen edhe shkelje ligjore gjatë prokurimit.
Së pari, Gjergj Buça është shpallur prej saj fitues pa garë fare, duke shkelur rregullin e konkurrencës. Për këtë tender kanë paraqitur oferta edhe tre firma të tjera madje një prej tyre ka pranuar vlerën rreth 180 milionë lekë.
Por, të gjitha janë përjashtuar që në fazën e parë, pavarësisht ofertave më ekonomike. Madje duket se Sako nuk i ka shqyrtuar fare, pasi për të tria kompanitë ka nxjerrë justifikimin se nuk kanë paraqitur akt ekspertizë dhe nuk kanë deklaruar punë të ngjashme të zhvilluara më parë.
Kështu, me vlerën 400 milionë lekë, sa 100% e fondit limit, në shkelje të hapur të ligjit, paratë iu xhiruan Gjergj Buçës. Për këto manovra të Sakos, që i kanë garantuar 400 milionë lekë mikut të saj, tenderi është klasifikuar në prokurimet me “Red Flag” nga monitoruesi Open Data Abania.
Kush do të ngrohet në verë?!
Një fakt tjetër që të bie në sy në këtë dokument është afati. Sako ka menduar që furnizimi me dru të bëhet për 150 ditë, pra 5 muaj. Kështu duke përfshirë edhe muajin prill, do të blihen dru zjarri deri në gusht.
Shkurt 2023, shkolla “Bedrie Bebeziqi”
Ndërkohë, me datë 6 shkurt 2022 kryetari i FRPD Durrës, Shyqyri Myrtollari, ka denoncuar mungesën e ngrohjes edhe në shkollat në periferi, pasi shumë mesazhe i shkonin nga nxënës apo prindër, ku ankoheshin se mësonin në të ftohtë.
Ndërkohë edhe prindërit e nxënësve që mësojnë në shkollën “Met Hasa” në Porto Romano kanë denoncuar në media më datë 7 shkurt 2022 se kjo shkollë nuk ka pasur kurrë sistem ngrohës. Ndaj nxënësit detyrohen të bëjnë mësim me xhupa e dorashka.
“Ngrohje këtu nuk ka, vetëm disa furnela të vogla. Në një klasë 200 metra katrorë llogarite sa ngroh një furnelë”, u shpreh një banor asaj kohe. Ankesat ranë në vesh të shurdhët. Prandaj kemi arsye të besojmë se ky tender i Sakos është hartuar për të vjedhur fondin e bashkisë që duhet të shkonte për arsimin!