top of page

Falsifikime në Kadastrën e Tan Lames, ja si grabiten tokat e bregdetit në Durrës

Kadastra e Durrësit po përdoret për vjedhjen e pronave në bregdet përmes dokumenteve të falsifikuara. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, përbetohet se në këtë institucion nuk ka më korrupsion. Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon të kundërtën. KLSH ka ushtruar një auditimnë këtë institucion dhe ka parë një sërë pronash të regjistruara me dokumente të parregullta, apo ku manipulohen sipërfaqet. KLSH shprehet se, nga auditimi i procedurave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme u konstatuan regjistrime në mungesë të titullit të pronësisë, të dokumentacionit tekniko-ligjor. Gjithashtu evidentohet të jenë bërë ndryshime të zërit kadastral dhe veprime të parregullta në kartelat e pasurive të paluajtshme. Të cilat kanë rezultuar në tjetërsime të paligjshme të pasurive.

Të gjitha këto shkelje kanë sjellë tjetërsim pronash, fshirje të pronësisë, si dhe dhënie leje ndërtimi në zona shumë pranë bregut të detit.


Në 2 raste, është regjistruar një sipërfaqe prej 30 000 m2 në mungesë të titullit të pronësisë. Në 2 raste, në regjistrimin e pasurive me vendim të komisioneve të kthimit janë vërejtur mangësi në dokumentacionit ligjor. Në 2 raste, për regjistrimin e vendimeve gjyqësore janë konstatuar regjistrime të pasurive që nuk kanë qenë pjesë e këtyre vendime.

Në 1 rast, për kryerjen e veprimeve me bazë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi është konstatuar se nuk janë zbritur sipërfaqet shtesë mbi titullin e pronësisë. Në 1 rast, është ndryshuar zëri kadastral nga kënetë në arë, me pasojë edhe fshirjen e regjistrimit të një pasurie. Në 1 rast, për kryerjen e veprimeve me leje ndërtimi është konstatuar regjistrim i parregullt i një pasuri, në mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor që shoqëron lejen e ndërtimit”, thuhet në raport.

Zaptim prone me dokumente të falsifikuara

Në raport KLSH, ka publikuar disa shembuj konkretë ku duken abuzimet e bëra me pronat. Bëhet fjalë për një truall në Zonën e Plazhit në Durrës. Pronari i vjetër i pronës, A.SH është shprehur se prona është regjistruar në vitin 1995, por në vitin 1997 është zaptuar nga familje të ardhura në Durrës, dhe në vitin 2002 Kadastra iu ka dhënë atyre pronësi për ndërtimet pa leje që ata kishin bërë. Këta të fundit bënë një padi dhe kërkonin certifikim e truallit si të tyrin.


Dhe çfarë bëri Kadastra?! Në 2004  lëshoi një certifikatë pronësie për pronarin A.SH, por i ka reduktuar truallin me 338 m2 më pak.

Pasuria është regjistruar me datë 24.07.1995 me nr. 730 regjistri. Nga kjo zyrë në vitin 2002 është lëshuar certifikata për vërtetim pronësie sipas HTR 286. Pas kësaj periudhe, nga personat që kishin ndërtuar pa leje në vitin 1997 mu paraqit një padi civile me dokumente te falsifikuar nga një kundërvajtës për ndërtim pa leje në gjykatë, me objekt kundërshtimin e vendimit të KKK Pronave nr.919 datë 22.06.1995.

 Kjo çështje mbasi u gjykua në gjykatë civile u pushua me vendim të formës së prerë sepse dokumentet ishin të falsifikuara. Në vitin 2004 ish-ZVRPP Durrës sipas urdhrit të Drejtorit të PërgjithshëmTiranë u detyrua ta lëshojë atë. Por të ndryshuar nga 2868 m2 që ishte në vitet 1995 në 2530 m2 që do të thotë 338 m2 truall më pak”, thuhet në raport. Në këtë rast, Kadastra i tjetërsoi truallin pronarit real dhe legalizoi ndërtimet la leje te zaptuesve.

Një rast i ngjashëm është denoncuar në vitin që lamë pas. Me datë 11.04.2022 janë administruar ankesat e znj. L.M. ku shprehet shqetësim për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 890.66m2 të z. B. A., në të cilën është ndërtuar një pallat. Dhe sipas auditimit të KLSH, rezulton se ndërtimi i pallatit është bërë në shkelje të ligjit.

Nga hetimi i deritanishëm i këtij procedimi, dyshohet të jenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin vetëm për lejen e legalizimit, për shtesat e kryera nga subjekti mbi lejen e ndërtimit”, raporton KLSH.

Leje legalizimi kundër ligjit

Sipas KLSH, zaptimet dhe përplasjet me pronat kanë ardhur për shkak se,  jepen ndërtime pa leje në shkelje të ligjit. Konkretisht, në 65 raste, lejet e legalizimit nuk janë lëshuar brenda afatit ligjor të përcaktuar në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje“.KLSH shprehet se Kadastra Durrës ka vepruar me 2 standarde, lidhur me procedurat e legalizimit. Duke përfunduar procedurën e kualifikimit të disa objekteve brenda ditës. Ndërsa për disa të tjerë është marrë vendimi për kualifikim ose është zbardhur leja e legalizimit mbas disa vitesh.

Në 25 raste, skicat fushore janë të parregullta dhe nuk i përmbahen formatit ligjor. Në 20 raste, për praktikat e legalizimit, dokumentacioni i verifikimit në terren nuk plotësohet nga specialistët në kohën e evidentimit të objekteve në terren”, thuhet në raport.

bottom of page