Ogerta Manastirliut nuk i rrihet pa trazuar fondet edhe në prag fushate. Këtë herë ajo ka futur duart në projektet e Spitalit Rajonal Durrës. Edhe ky spital ka shumë probleme në shërbim dhe në infrastrukturën e brendshme. Për shkak se shpesh herë nuk ka mjekë të specializuar, ose ka mungesë të pajisjeve mjekësore. Por, Manastirliu nuk mendon për këtë, ajo ka menduar të rregullojë fasadën e godinës.
Kështu me datë 3 maj 2023, përmes autoritetit kontraktor, i ka dhënë dritë jeshile tenderit me vlerë 970 milionë lekë, i cili ka si objekt “Rikonstruksionin e Poliklinikës se Spitalit Rajonal Durrës”. Ky prokurim është prezantuar që më 6 shkurt 2023, me një buxhet të fryrë, sa mund të rikonstrutohej krejt poliklinika e Durrësit.
“Kemi mundësinë që tashmë me buxhetin e 2023-shit, jo vetëm poliklinika e Durrësit, por gjithashtu edhe poliklinika e Shkodrës, e Elbasanit të futen në proceset e rehabilitimit, për të siguruar që shërbimet në nivelin ambulator të jenë sa më efektive, sa më cilësore dhe të kemi mundësi që të ofrojmë për qytetarët një standard të lartë të shërbimit”, deklaroi lidhur me këtë rast ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Shkeljet
Tenderët në sektorin e Shëndetësisë tregojnë se buxheti më shumë po përvetësohet dhe pak po investohet, për shkak të korrupsionit. Konkretisht, tenderi për Poliklinikën e Spitalit të Durrësit është zhvilluar në shkelje të ligjit. Në dokumente shihet se si Manastirliu ka skualifikuar menjëherë 21 kompani, për të lënë në garë vetëm firmën e paracaktuar si fituese. Këto 21 oferta janë skualifikuar që në fazën e parë pa shumë shpjegime. Siç del nga dokumentet, autoriteti ka dhënë arsyetim vetëm për 6 prej kompanive të skualifikuara.
Kështu mbeti në tavolinë vetëm oferta e firmës “ED KONSTRUKSION”, në pronësi të vëllezërve Alfred dhe Eduart Ibrahimi. Ata e përfituan këtë tender në mungesë të konkurrencës, meqenëse zyrtarët e kanë shkelur ligjin që kërkon garë të mirëfilltë për prokurimet.
Ky tender është klasifikuar nga Open Data në prokurimet me “Flamur të Kuq” dhe jep alarmin për masakrën që iu bëhet fondeve publike. Ndërkohë vëllezërit Ibrahimi kanë shtrirë mirë biznesin e tenderëve në Bashkinë Durrës dhe po rrëmbejnë fonde të majme. Pak javë më parë ata përfituan tenderin me vlerë 500 milionë lekë për “Rehabilitim Rruga e Dëshmoreve”. Prandaj nuk është rastësi që edhe Manastirliu i ka afruar vëllezërit tek torta e Shëndetësisë!