top of page

Fatura e Arbitrazhit “Becchetti” fut në një zinxhir borxhesh institucionet publike. Qeveria ka…


Kompania e navigimit ajror, Albcontrol, po shkon drejt një kolapsi financiar, pasi Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi bllokimin e llogarive në favor të biznesmenit Francesco Becchetti. Të dhënat e siguruara nga INA tregojnë se, nga 71.8 milionë euro të bllokuara deri më tani, 67.3 janë të Albcontrol-it dhe 4.3 milionë euro, të Autoritetit të Aviacionit Civil.


Për të fshehur dështimin, shteti e ka ndihmuar me 32 milionë euro Albcontrol-in, nëpërmjet disa transaksioneve të fshehta, në formën e huave. Kjo ka bërë që Shqipëria të paguajë de facto 30% të faturës prej 108 milionë eurosh për gjyqin e humbur në Arbitrazhin ndërkombëtar.


Më 15 maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi që t`i mbajë të bllokuara llogaritë e kompanisë shtetërore të navigimit ajror, Albcontrol, duke e futur në një spirale vështirësish financiare. Pas refuzimit të shtetit shqiptar për ta dëmshpërblyer me 108 milionë euro, llogaritë e shtetit shqiptar janë bllokuar që në vitin 2020, në favor të biznesmenit italian Francesco Becchetti, si një masë përmbarimore ndaj aseteve të Shqipërisë. Becchetti ka fituar të drejtën për t’u dëmshpërblyer në çështjen Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë, në bazë të një vendimi që ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve në vitin 2019.


“Vendimi i Arbitrazhit ka si bazë ligjore Konventën dhe Marrëveshjen bilaterale me shtetin italian për Mbrojtjen e Investimeve të huaja. Më pas pala shqiptare ka kërkuar anulimin, ka kërkuar korrigjimin, ka kërkuar dhe rishikim vendimi, referuar një vendimi penal, ku Francesco Becchetti është dënuar. Në këto kushte është ezauruar tërësisht mjeti juridik, që të lejon Konventa, nuk kanë rrugë të tjera për ta refuzuar njohjen e vendimit. Është përfundimtar dhe i ekzekutueshëm”, – shpjegon Ledina Mandija, ish-Avokate e Shtetit.

Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se që prej nëntorit të vitit 2020, kur Gjykata e Shkallës së Parë në Vjenë i dha të drejtë biznesmenit Becchetti që të bllokojë asete të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian dhe deri në qershor të këtij viti, Albcontrol-it i janë bllokuar 67.5 milionë euro dhe 4.3 milionë euro të tjera i janë bllokuar Autoritetit të Aviacionit Civil, shumë që përbën 66% të faturës, që Shqipëria duhet t’i paguajë biznesmenit italian, pa llogaritur kamatat.

Për të mbijetuar kompania Albcontrol ka marrë gjithsej 32 milionë euro hua nga 3 agjenci shtetërore: Autoriteti Portual, Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Autoriteti i Aviacionit Civil.

Të kontaktuar nga INA MEDIA zyrtarë të Albcontrol-it nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. INA MEDIA kontaktoi dhe me zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, por komenti nuk ishte i arritshëm deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Paralizimi i Albcontrol-it

Kompania Albcontrol (ish-ANTA) është një shoqëri publike në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e themeluar në vitin 1992. Qëllimi i saj, kryesor është ofrimi i shërbimit të kontrollit dhe sinjalizimit të trafikut ajror, një nevojë jetike për çdo vend që ofron udhëtime ajrore dhe ka hapësirë të qarkullimit për linjat e fluturimit.

Si një ndërmarrje private, që zotërohet nga shteti, Albcontrol mbledh të ardhura të vetat, të cilat i mundësojnë asaj investimet, pagesën e kontrollorëve dhe mbarëvajtjen e detyrave të saj, funksionale. Të ardhurat, që kanë peshën më të lartë në buxhetin e Albcontrol-it, janë tarifat që paguajnë kompanitë e fluturimit për shërbimin e navigimit, të cilat ndahen në tarifa për ulje-ngritjet e avionëve dhe tarifa për mbikalimet e fluturimeve përmes hapësirës shqiptare.

“Hapësira ajrore është e ndarë në 3-4 shtresa dhe disa shtresa në pjesën shqiptare menaxhohen nga Albcontrol-i. Nëse nuk e kryen dot këtë funksion Albcontrol-i, asnjë avion nuk do të mund të kalonte në hapësirën e Republikës së Shqipërisë”, – thotë eksperti i aviacionit civil, Dritan Goxhaj.

Në vitin 2021 të ardhurat nga shërbimi i navigimit ishin 27 milionë euro, por nga këto pará Albcontrol-i arriti të përdorë vetëm 4.3 milionë euro, që ishin tarifat për ulje-ngritjet në tokën shqiptare. 22.8 milionë euro të tjera, që paguhen nga kompanitë e fluturimeve pranë Eurocontrol-it (Njësisë Europiane të Trafikut Ajror), e cila më pas duhet t’i kalonte në llogarinë e Albcontrol-it, u bllokuan pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, ku ndodhet selia qendrore e Eurocontrol-it. Gjykata u shpreh në favor të avokatëve të biznesmenit Francesco Becchetti, për të bllokuar llogaritë bankare të Albcontrol-it, duke i konsideruar paratë asete që zotërohen nga Shqipëria.

“Shoqëria është përballur me vështirësinë për likuiditet si pasojë e pamundësisë së përdorimit të fondeve në llogaritë e saj bankare jashtë vendit, duke ndikuar në frenimin e një ecurie normale të punës së saj. Kompania ka reduktuar pjesën më të madhe të shpenzimeve këtë vit, duke u përpjekur të mbulojë vetëm shpenzimet më të nevojshme për ecurinë e punës”, – thuhet në raportin vjetor të Albcontrol-it për vitin 2021.

Të ardhurat e Albcontrol-it në vitin 2022 u rritën, për shkak të fluksit të lartë të fluturimeve që pati periudha pas pandemisë së Covid-19, por sërish 30 milionë euro u bllokuan dhe vetëm 4.4 milionë euro arritën të arkëtohen nga ulje-ngritjet e avionëve në tokën shqiptare. Kjo shumë duket të jetë e papërfillshme për të kryer operacionet normale të navigimit dhe përbën vetëm 13% të të ardhurave që kompania merr nga tarifat e kontrollit të trafikut ajror. E ndodhur në një situatë të vështirë financiare, pas një viti ku për shkak të pandemisë kishte rezultuar me një humbje prej 5.2 milionë eurosh, rezultati nuk ndryshoi edhe pas boom-it që patën fluturimet vitet më pas.


Gjatë vitit 2021 fitimet për kompaninë Albcontrol ishin 5 milionë euro, por, edhe pse ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori vendimin që paratë të shkonin për mbulimin e humbjeve, operacioni nuk u realizua për shkak të bllokimit të llogarive në Bruksel.


“Rëndësia e Albcontrol-it fillon që me përzgjedhjen e individëve në bordin e saj, që janë personalitete dhe niveli më i lartë i përfaqësimit të qeverisë shqiptare. Duke patur këtë lloj rëndësie në aspektin e gjithë Aviacionit Civil, nuk kishte pse të vuante efektin e një problematike, që nuk ka lidhje me këtë sektor. Kjo e ka detyruar që, duke i munguar financat përkatëse, të kufizohet në zgjerimin e saj në të ardhmen në kapacitete njerëzore dhe teknologji, që në këtë fushë evoluon me shpejtësi”, – sqaron Eduart Gjokutaj.

Agjencitë, në zinxhir borxhesh

E gjendur në situatë të vështirë dhe e paaftë për të përballuar funksionet e saj, kompania publike ndihmohet nga disa agjenci shtetërore nën koordinimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Financave dhe Ekonomisë. Vitin e shkuar Albcontrol mori 5.8 milionë euro hua nga Autoriteti Portual, Durrës, 4 milionë euro nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe 18.8 milionë euro nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Albcontrol ka marrë dhe 4.5 milionë euro të tjera borxh nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor për pjesën e parë të këtij viti, duke akumuluar në total 33 milionë euro detyrime.


“Albcontrol ka humbur pavarësinë e saj, financiare, duke qenë në borxh ndaj gjithë këtyre enteve publike dhe në këtë mënyrë edhe plani i saj i biznesit varet nga vlera që do të marrë hua. Edhe pse janë ndërmarrje publike, çdo kompani shtetërore ka bilanc më vete, që synon optimizimin e objektivave të saj. Disiplina financiare ka çeduar këtu dhe kjo ndikon në performancën financiare të secilës”, – sqaron eksperti i qendrës Altax, Eduart Gjokutaj.





Comments


bottom of page