top of page

Fiks Fare/ “Rezervat e shtetit s’kanë grurë”, por kanë sutjena e mbathje!


Fiks Fare faktoi se një shumë prej 1.1 milionë euro ishte përdorur për të pritur delegacionin e BE-së, për Samitin e Procesit të Berlinit. Për ushqime, akomodime apo edhe dhurata. Në dukje, Shqipëria u duk e pasur në sytë e ndërkombëtarëve! Por, nëse larg qoftë ndodh një fatkeqësi, a mund t’i ndihmojmë shtresat në nevojë apo të prekura me ushqimet bazë? Me ato të shportës? Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori zbuluar Rezervat e Shtetit. Ato Rezerva të cilat duhet të ishin plot me ushqime. Ky që po shikoni është raporti i KLSH-së, i titulluar “rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”. Në të jepen detaje të rënda, sesi këto Magazina nuk kanë asnjë kilogramë grurë! "Nga të dhënat e paraqitura rezulton se: Artikulli “Mjete të rënda për çdo lloj transporti” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “grurë”, gjendja është zero. “Mjete të vogla lundrimi”, gjendja është zero. “Automjete të tonazhit të ulët nën 10 ton” gjendja është nën limitin minimal të përcaktuar. Artikulli “Karburante”, gjendja është zero” vijon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pra, artikujt grurë dhe karburant, gjendja është 0! Ndërkohë, çuditërisht, Drejtoria e Rezervave të Shtetit bën ankande për mallra të tjerë. Disa ditë më parë është publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik. Rezervat e Fierit kërkojnë të shesin “mallra të ndryshëm industrial, vaskë, mbajtëse gjoksi sutjena të ndryshme, mbathje burrash të ndryshme, rroba banjo dhe letra bixhozi”. Në këtë njoftim jepet edhe një listë e këtyre artikujve, të cilat në total kanë një vlerë 164 mijë lekë. Pra, rezervat e shtetit nuk kanë në gjendje karburant dhe grurë, por kanë sutjena, mbathje dhe letra bixhozi!

bottom of page