top of page

Fluturojnë çmimet e hoteleve, rritje mes 5-90%

Akomodimi në hotel në këtë sezon veror në Shqipëri është bërë më i shtrenjtë. Çmimet e hoteleve kanë shënuar rritje mes 5-90%. Në një pjesë të mirë të strukturave, kjo argumentohet me rritjen e kostove dhe të kërkesës, por thuajse dyfishimi në disa rajone ka ngritur pikëpyetje, duke krijuar një lloj frike mbi efektet që mund të sjellë në një destinacion si Shqipëria. Në bregdetin shqiptar, Veriu  mbetet më ekonomik sa u takon çmimeve, Durrësi dhe Golemi janë suksesi i padiskutueshëm i modelit turistik të qëndrueshëm, ndërsa Jugu vijon të mbetet mes “oscilacionesh” ekstreme dhe me koston më të lartë të akomodimit. Në një bilanc, Shqipëria edhe këtë vit, ofron pushime për të gjithë sipas mundësive, por zonat ekonomike në bregdet po bëhen gjithmonë e më të pakta nga viti në vit

 Të pushosh në Shqipëri këtë vit është më shtrenjtë se një vit më parë. Çmimet e hoteleve janë rritur mesatarisht nga 5% deri në 90%. Kërkesa e lartë, që erdhi si efekt i rritjes së interesit për Shqipërinë dhe zhvlerësimi i Euros, bëri që strukturat akomoduese të reflektonin me një rritje fillestare të çmimeve kudo, por sidomos në bregdet.

Rritja nisi me një nivel modest në maj, por që në fillim të qershorit kërcimi i çmimeve ishte i menjëhershëm, në nivele që nuk shiheshin më si të logjikshëm as nga tur-operatorët të cilët e reklamojnë Shqipërinë në tregjet e huaja, e as nga klientët, që vijnë individualisht.

Vala e dytë ishte në prag dyfishimi të çmimeve në disa zona.

Sinjalin e parë të “refuzimit” të këtij kërcimi ekstrem çmimesh, e dhanë vendasit, të cilët reduktuan fundjavat e zakonshme në bregdet, teksa nisën të mendonin për pushimet verore, ku rezervimet jashtë kufijve, sipas agjencive janë në nivelet më të larta ndonjëherë.

Ndërkohë një grup i rëndësishëm i të huajve, që kishin kaluar pushime të cilësuara “të mrekullueshme” në Shqipëri vitin e shkuar, këtë verë janë ndeshur me çmime të reja që nuk e bëjnë më ekonomik në syrin e tyre vendin tonë.

Operatorët turistikë pohojnë se bëhet fjalë kryesisht për turistët italianë, të cilët në shifra do të ishin shumë më lart në qershor dhe korrik, por i kanë anuluar ardhjet e tyre për shkak se në rajonin e Vlorës dhe Jugut janë ndeshur me çmime më të shtrenjta se një vit më parë në të njëjtat struktura ku kishin qëndruar.

Strukturat akomoduese në Vlorë dhe në Sarandë presin gjithsesi që muaji gusht të ketë një dyndje të italianëve në këto zona.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, Shqipëria vijon të shënojë një numër rekord vizitorësh që vetëm në qershor ishin 1.24 milionë të huaj, me një total prej 4.5 milionësh në 6 muajt e parë.

Tur-operatorët presin që në total, viti 2024 të jetë sërish më mirë se viti 2023 në shifër vizitorësh, kjo edhe si efekt i tureve kulturore dhe rigjallërimit të turizmit që dominoi në pranverë dhe  pritet të jetë në nivele mjaft të mira edhe gjatë vjeshtës.

Gjithsesi, sezoni veror në vetvete, nuk cilësohet si më i miri deri më tani, për shkak të lëkundjes që solli rritja e çmimeve dhe tipologjisë së turistit që edhe pse shënon numra më të lartë, është tepër i kursyer në shpenzime.

 

Pse vera 2024 ndahet në dy pjesë sa u takon çmimeve dhe tendencave

Vera 2024, sipas tur-operatorëve, duhet të ndahet në dy pjesë. Fillimi i sezonit, që është cilësuar kryesisht maji, ishte në nivele mjaft të mira dhe strukturat akomoduese do të shpreheshin të kënaqura në atë kohë me rezervimet, duke rritur pritshmëritë për muajt në vazhdim.

Por rritja e menjëhershme e çmimeve, kryesisht në Jug dhe sidomos në Sarandë dhe Ksamil, për shkak të promovimit të gjerë ndërkombëtar dhe rritjes së kërkesës, krijoi  efekt të menjëhershëm frenues.

Në grupe turistike në rrjete sociale apo në komente të influencerave të ndryshëm, Shqipëria, e cila deri dje komentohej në mënyrë unanime pozitivisht, nisi që të komentohej edhe negativisht. Për ditë me radhë, në qershor dhe korrik, në rrjete sociale nisën të bënin xhiron e rrjetit video me shezlone të boshatisura.

Në fakt, realiteti ishte disi më ndryshe. “Braktisja” nuk ishte për gjithë Jugun por për disa zona specifike, ku rritja e çmimeve kishte krijuar pakënaqësi të përgjithshme, ndërkohë që këto raste të izoluara, shërbyen  si “marketing” negativ në tërësi, për të anatemuar gjithë rajonin.

Pikënisja e gjithë kësaj ishte rritja e çmimeve që deri më 10 korrik bëri që plazhet të ishin nën potencialin e tyre. Vetë kryeministri Edi Rama do të kërkonte që bizneset të tregoheshin të kujdesshëm, pasi kjo ishte një strategji vetëvrasëse.

Nisja e periudhës që njihet si piku i sezonit 15 korriku-20 gushti, në fakt i gjeti një pjesë të strukturave me  rikthim me këmbë në tokë. Jo të gjitha ulën çmimet, madje ato të cilësuara si segment luksi, nuk reflektuan aspak mbi këtë dhe as ato që janë struktura me çmimet e ulëta.

Reflektimin e bënë hotelet e kategorisë së mesme, të cilat nisën një fushatë promovimi në rrjetet sociale por edhe ofrimin e paketave gjithëpërfshirëse, që e bënin çmimin e tyre ekonomik në syrin e pushuesve.

Këto të fundit nisën ofrimin e dhomave me dy vakte të paguara, me shezlone në plazh, parkim apo edhe lehtësi të tjera. Edhe pse me vonesë, tur-operatorët vlerësojnë se Shqipëria ka mundësi të rikuperojë disi nga imazhi i saj në muajin gusht dhe fillim shtator, për ta bërë mbyllur sezonin veror me sukses dhe me një shije të mirë për verën e ardhshme.

Gjithsesi, Shqipëria duhet të kuptojë se ende nuk është pozicionuar e sigurt në tregun global turistik dhe çdo lëvizje e pamenduar mund t’i kushtojë shumë në një kohë të shkurtër.

bottom of page