top of page

Frikë? Manastirliu delegon PPP-të dhe tenderat pas arrestimit të sekretares (Dokumenti)


Pesë ditë pas arrestimit të sekretares Joana Duro, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vendosi që të delegonte kompetencat për firmosjen e urdhrave nga më të thjeshtët si lëvizja e punonjësve, shkarkime, udhëtime, dieta apo shpërblime deri tek tenderat dhe PPP-të. Duro u arrestua për tenderat në datë 2 Qershor kurse Manastirliu i delegoi kompetencat në 7 Qershor, 5 ditë më pas. Vendimi ku theksohet se Mejvis Kola, drejtor i përgjithshëm është kompetenti për të firmosur gjithçka në ministrinë e Shëndetësisë deri në një urdhër të dytë.



VENDIM PËR DELEGIM KOMPETENCE

URDHËROJ:


Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Mejvis Kola, drejtor i përgjithshëm:


a) të nënshkruajë autorizimet për përfaqësimin ligjor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në emër të personit që do të përfaqësojë ministrinë në të gjitha shkallët e gjykimit, duke përfshirë kërkesëpadi, kërkesë, shtim, pakësim, saktësim apo heqje dorë nga objekti i kërkesëpadisë, kundërpadi, ankim dhe rekurs kundër vendimeve të ndërmjetme dhe përfundimtare, kërkesë për pezullim, kërkesë për përjashtim gjyqtari, si dhe çdo kërkesë tjetër që ka lidhje apo del nga rrethanat e gjykimit të kësaj çështjeje, si edhe t’i nënshkruajë ato. Përfaqësuesi i autorizuar nga znj. Mejvis Kola, drejtor i përgjithshëm, i përcaktuar sipas kësaj pike, ka të drejtë të kryejë çdo veprim procedural përpara gjykatës, konform parashikimeve të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, përveç rasteve kur kjo e drejtë kufizohet në aktin e autorizimit;


b) delegimin e kompetencave të titullarit të autoritetit kontraktor, për të gjitha procedurat e prokurimeve publike me fonde buxhetore dhe të huaja për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;


c) delegimin e kompetencave të titullarit të autoritetit kontraktor për procedurat e koncesioneve dhe partneritetin publik privat me fonde buxhetore për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

d) autorizimet për dërgim me shërbim të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jashtë qendrës së punës, brenda vendit të punës, në largësi mbi 100 km dhe jashtë vendit;


e) të nënshkruajë ankimet administrative drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;


f) të nënshkruajë komunikimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me institucionet e administratës publike dhe palët e treta, me përjashtim të atyre komunikimeve dhe akteve që ligji ia atribuon ministrit;


g) të ndjekë procedurat e lidhjes së marrëveshjeve të posaçme (MEA), për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;


h) të kryejë çdo veprimtari tjetër të ngarkuar me urdhër nga ministri.

Këto kompetenca të ushtrohen nga znj. Mejvis Kola, drejtor i përgjithshëm, duke filluar nga data 7.6.2023.

Delegimi i kompetencave mbaron me revokimin e aktit të delegimit, si edhe me pushimin e ekzistencës së organit delegues ose të deleguar.


Urdhri nr. 311, datë 17.5.2022, “Për delegim kompetence”, shfuqizohet.

Ngarkohet znj. Mejvis Kola, drejtor i përgjithshëm dhe të gjithë nëpunësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij urdhri.


bottom of page