top of page

Fusha, Ulaj dhe Abazi thajnë Kolonjën për ujë, Erioni u fal 3 MLD lekë


Erion Isai arriti të fitojë sërish bashkinë e Kolonjës në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa KLSH e mbajti fshehur raportin mbi abuzimet e mandatit të shkuar. Tani që mbaruan zgjedhjet Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë të ditur një auditim në këtë bashki që përfshin periudhën nga viti 2020. Raporti ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe shpërdorimesh, që të paktën kanë çuar dëm 3 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve kolonjarë.


KLSH ka listuar shkeljet në tre tenderë, ku oligarkë të majmur me fondet e prokuruara kanë marrë paratë, por nuk i janë përmbajtur kontratës në kryerjen e shërbimeve.

Bashkim Ulaj përdori material të dobët

KLSH ka konstatuar shkelje në tenderin me objekt “Rikonstruksion i rrjetit të brendshëm dhe të jashtëm të furnizimit me ujë të qytetit të Leskovikut” Bashkia Kolonjë”, të zhvilluar në vitin 2020. Dhe sipas raportit bashkimi i operatorëve BOE “A “ & “4” sh.p.k që përfituan këto kontratë kanë përdorur materiale me çmim më të lirë dhe me cilësi më të dobët, jo atë material që është përcaktuar në këtë kontratë.


Këtë tender e kanë fituar firmat Arkonstudio Shpk & 4 A-M Shpk, prapa të cilave qëndron biznesmeni Bashkim Ulaj. Për këtë tender ai ka përfituar 2.3 miliardë lekë, por punën e ka kryer shkel e shko! Kjo ishte e pritshme për aq kohë sa ky tender i është dhënë pa garë.



Në raport KLSH evidenton se, në një prej zërave operatori ka përdorur një lloj xhami të pacertifikuar dhe që ka kushtuar më pak nga se sa janë regjistruar shpenzimet. Gjithashtu, në një pikë tjetër ku kërkohej vendosja e 8 shtyllave në godina e dezinfektimit të ujësjellësit, Ulaj ka vendosur vetëm 2 shtylla konike. Pjesën tjetër të parave e ka xhiruar në xhepin e vet.


Ndërsa në dy zëra të tjerë me vlerë 1 milionë lekë, ku duhej të vendoseshin tubacione, Ulaj nuk e ka kryer fare si punë, duke shkelur kështu edhe një herë tjetër kontratën. Në këtë rast i janë shkaktuar 9 milionë lekë dëme Bashkisë Kolonjë.



Mashtrimet e Arbër Abazit

Edhe tenderin tjetër, kryebashkiaku Isai e ka dhënë pa garë dhe kontraktuesi ka bërë kërdinë me përvetësime në dëm të kontratës. Tendero ka si objekt “Rikonstruksion i rrjetit ujitës të rezervuarit të Gjonçit, Bashkia Kolonjë”. Kjo punë publike me vlerë 297 milionë lekë është fituar në abuzim me ligjin nga firmat “ KEG Shpk ” & “ ALKO – IMPEX General Construcion Shpk. Kjo e fundit mjaft e njohur, për shkak se drejtohet nga Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, i cili ka shfrytëzuar çdo lidhje për të përfituar sa më shumë tenderë në çdo cep të Shqipërisë.



Kështu Erion Isai ja ka plotësuar dëshirën duke dhënë këtë kontratë Abazit, që merr paratë dhe nuk bën punimet. Në 7 zëra fituesit duhet të shtronin zhavorr në kanale kulluese, por kjo nuk ka ndodhur. “Në asnjë kanal kullues nuk ka patur investim”, konstatoi në terren grupi i auditimit.


Paratë për punonjësit, transportin, zhavorrin dhe hedhjen e tij në kanale kulluese kanë përfunduar në xhepin e Abazit dhe bashkëpunëtorit të tij. Nga këto mashtrime, i janë shkaktuar buxhetit të shtetit 12 milionë lekë dëme në Bashkinë Kolonjë.



”Fusha” me shokë

Rasti tjetër është edhe më i rëndë dhe përfshihet oligarku Shkëlqim Fusha i pasuruar me tenderët dhe koncesionet që ia fal Rama dhe Veliaj. Në koalicion me bashkëpunëtorë të tjerë Fusha ka abuzuar me paratë që duheshin investuar për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit. Biznesmeni i aferave është i lënë qytetarët e 14 fshatrave të thahen. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rrjeti shpërndarës i furnizimit me ujë në 14 fshatrat e Kolonjës” dhe fond limit 40 milionë lekë.



Ky tender i është dhënë pa garë firmës A & E ENGINEERING shpk, e cila është një degëzim i Shoqerisë Koncesionare Tirana 4, e cila është në pronësi të Shkëlqim Fushës, Xhavit Ismailit, Vëllezërve Ibrahmi dhe emrave të tjerë të njohur për aferat me prokurimet.

KLSH konstaton se ata kanë shkaktuar 13 milionë lekë dëm ekonomik sepse nuk kanë kryer punimet e përcaktuara në kontratë, si hedhje të zhavorrit, rrethim deposh dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse.

Dhe këto mashtrime kanë bërë që sistemi i shpërndarjes së ujit në 14 fshatra në Kolonjë të mos funksionojë. Kryebashkiaku Erion Isai nuk ka marrë asnjë masë sepse ai vetë i ka firmosur këto tenderë abuzivë, tani i mbetët SPAK-ut që t’i vërë prangat dhe ta marrë në pyetje.














bottom of page