Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj, fondi i garancisë sovrane në ndihmë të fasonëve nuk është ende funksional. Edvin Prençe, kreu i shoqatës “Pro-export Albania” tha se përgjegjësia për këtë është e bankave, të cilat po vonojnë procedurat.
Përmes rishikimit të buxhetit për vitin 2024, Qeveria vendosi në dispozicin të sektorit të prodhuesve një fond prej 4 miliardë lekësh ose rreth 400 milionë euro, që do të shërbente si fond garancie, duke iu dhënë mundësinë biznesve apo sipërmarrjeve të përfitonin kredi me kushte lehtësuese.
Por, mësohet se deri më tani ky fond ende nuk është funksional, ndërsa afati për të përfituar, siç vuri në dukje edhe Prençe përfundon në muajin tetor të këtij viti.
Nga studio e emisionit “Box to Box” kreu i shoqatës “Pro-Export Albania” u ndal edhe në situatën në të cilën ndodhet ky sektor. Të dhënat për muajin maj, sipas Instat tregojnë se ka një rënie të eksporteve me 5 miliardë lekë në raport me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Shkak për këtë vijon të jetë rritja e kostove dhe zhvlerësimi i monedhës evropiane. Prençe paralajmëroi përkeqësim të mëtejshëm të situatës nëse nuk ndërmerren masa shtesë apo incentive direkte për amortizimin e këtyre pasojave.
Vetëm përgjatë vitit të kaluar, referuar Instat, numri i ndërmarrjeve me më shumë se 50 punonjës u reduktua me 5.3 për qind.