
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Për këtë çështje janë marrë të pandehur 10 persona, mes të cilëve ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
Ata do përballen me akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Përveç, Bllakos dhe Kokës, të pandehur janë marrë edhe Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, dhe Etleva Kondi, si dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k
Ndërkohë, ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka u shpreh se akuzat e ngritura ndaj tij janë të paprovuara, ndërsa ka pretenduar se procesi është i montuar me qëllim që ai të goditet politikisht. Ndërsa përfaqësuesi i tij loigjor Fatmir Braka, i ka kërkuar gjykatës të pushohen akuzat e ngritura ndaj klientetit të tij, kërkesë e cila është hedhur poshtë.
Edhe ish-deputeti Alqi Bllako deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit.