top of page

GJKKO rrëzon ankimimin e Lefter Allës, dosja kalon për gjykim

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për kalimin në gjykim të dosjes së ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 të akuzuarve të tjerë për tenderin me vlerë rreth 3 milion euro për ndërtimin e ujësjellësit.

Alla kërkoi nëpërmjet avokatëve pushim të çështjes por u rrëzua nga gjykata.

Ish-kryebashkiaku bashkë me 10 të tjerë kanë kërkuar gjykim të shkurtuar ndërsa vetëm dy nga të akuzuarit kërkuan gjykim të zakonshëm, kërkesa të cilat do të shqyrtohen me zgjedhjen e trupës gjyqësore.

7 zyrtarët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni Aqif Konesha, mik i Allës që fitoi tenderin dhe personat e tjerë akuzohen për falsifikim të dokumentave, vulave dhe stampave.

Ish-kryebashkiaku dyshohet në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania tjetër që është në administrimin e Aqif Koneshës.

Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 milionë euro, me afat kohor 10 mujore.

bottom of page