top of page

Gjykata lë në burg Lefter Allën dhe zyrtarët e Bashkisë, flet avokati: Prokuroria nuk ka hetuar…


Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun socialist Lefter Alla, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Po e njëjta masë sigurie është lënë edhe për dhjetë zyrtarët e tjerë të arrestuar. Alla u prangos katër ditë më parë me urdhër të SPAK për abuzim me tendera.

Ai akuzohet se favorizoi një kompani për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër të Bulqizës, duke shkaktuar dëm të konsideruar në buxhetin e shtetit. Punimet janë kryer nga kompania, OE 2AF Albania shpk, që rezulton se kishte lidhje shoqërore me kryetarin e Bashkisë.


Ndërkohë avokati i kryebashkiakut të Bulqizës ka reaguar në lidhje me masën e sigurisë të dhënë për klientin e tij, “Arrest me burg”, duke thënë se prokuroria nuk ka hetuar për punimet që janë bërë në terren.

“Lefter Alla ka qenë biznesmen i suksesshëm edhe para marrjes së detyrës në krye të bashkisë Bulqizë, nuk ka ndërhyrë në ndonjë tender me 3 mln euro. Edhe në Bulqizë ka jetë, por nëse ai popull është pa bukë le të ngelë edhe pa atë kanal, edhe pa ujë, 90 përqind e punimeve janë kryer. Nuk ka hetuar fare prokuroria si është puna në terren. Mos paragjykojmë të vijojnë hetimet”, tha avokati Hysni Demiraj.


Gjykata ka vendosur arrest me burg për:

Lefter Alla – Kryetar i Bashkisë Bulqizë

Enkeleda Lleshi – Zv/kryetare

Erion Isaku – Drejtor i Urbanistikës

Kujtim Zogu – Drejtor i Mbrojtjes Civile

Rubin Kola – Inxhinier urbanistike

Denis Xholi – Ish Drejtor Juridik

Leonard Daçi – Sekretar i Përgjithshëm

Arsen Gjoka – Drejtor i NJVKSH Bulqizë

Po ashtu në pranga kanë rënë edhe administratorët e firmave fituese të tenderit; Aqif Konesha (i afërm i kryebashkiakut Lefter Alla), Rasim Daci, Dalo Gazidedja, Ana Nishku dhe Kastriot Ibrahimi, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Më herët gjatë ditës së sotme Lefter Alla i cilësoi si politike akuzat e ngritura ndaj tij.

bottom of page