Gledjan Llatja merr dy “Flamuj të Kuq” për nipin e Sadri Abazit, i jep 209 MLN lekë pa garë
- Infrared Infrared
- Sep 30, 2023
- 2 min read

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja këtë herë ka vulosur disa shkelje në një tender dhe për këtë ka marrë dy flamuj të kuq nga monitoruesi “Open Data Albania”. Kështu ngrihet alarmi për batërdinë që po bën Gledjani me fondin e prokuruar.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Kryerja e shërbimit të pastrimit për qytetin e Elbasanit”. Nuk mjaftojnë paratë që shkojnë për inceneratorin e Elbasanit që nuk po kryen asnjë funksion, por tani duhen paguar edhe 209 milionë lekë shtesë që të mblidhen plehrat nga rrugët dhe lagjet e qytetit.
Sipas të dhënave të kontratës, gara për këtë tender është hapur më datë 25 shtator 2023 dhe ajo që bie në sy është se vetëm dy ditë më pas është mbyllur. Deri në atë moment kishte paraqitur ofertë vetëm firma “ALKO-IMPEX General Construcion” sh.p.k. Kryebashkiaku Llatja nuk pranoi më oferta pas datë 27 shtator dhe një ditë më pas, më 28 shtator 2023, shpalli fituesin.

Dhe siç ishte paracaktuar, fituese u shpall firma “ALKO-IMPEX General Construcion” sh.p.k, në pronësi të Arbër Abazit.
Në fakt pas tij qëndroi xhaxhai, ish-deputeti dhe biznesmeni Sadri Abazi. Shohim që këtë herë, përveç se tenderi i është dhënë pa garë, duke mos konkurruar me asnjë kompani tjetër, Abazi dhe Llatja kanë firmosur një procedurë me negocim paraprak.
Për të disatën herë iu kujtojmë kryebashkiakëve tanë që vetë shefi i tyre Edi Rama “ka kërkuar” që të mos zhvillojnë më asnjë procedurë me negocim, në të kundërt do të kenë penalitete. Por, në këtë rast ose Llatja ka rënë në marrëveshje me Ramën, ose nuk pyet fare për urdhrat e tij.
Kushdo që të jetë arsyeja, Llatja ka shkelur ligjin për “Prokurimet Publike”, që po i shkakton humbje të konsiderueshme buxhetit të bashkisë.
Abazi ka fituar këto kohë disa tenderë nga njësitë vendore për pastrim dhe të gjitha i ka marrë pa garë.
Sikur shohim në dokument, ALKO-IMPEX General Construcion” sh.p.k. ka si kompani mëmë firmën “Eco Cleaning”, ku firma e Abazit ka 95% të aksioneve të “ Eco Cleaning”, ndërsa 5% të aksioneve i përkasin kompanisë “2T” me aksioner Dritan Troksi dhe Artan Sako. Ndërsa si administrator është Taulant Godroli.

Comments