Pasi Inceneratori i Elbasanit vodhi mirë e mirë qytetarët, la pa paga punonjësit dhe doli jashtë funksionit, kryebashkiaku Gledjan Llatja vazhdon shpërdorimin e fondeve për pastrimin e qytetit. Ai e ka nisur këtë javë duke firmosur 3.3 miliardë lekë, por jo në të mirën e qytetit. Sepse Llatja ka filozofi vetëm pasurimin e oligarkëve të lidhur me pushtetin.
Kështu, Gledjan Llatja ka firmosur dy kontrata tenderësh, të dyja të mbushura me shkelje ligjore. Prokurimi i parë ka si objekt “Loti I: Kryerja e shërbimit të pastrimit në qytetin e Elbasanit. Burimi i financimit është Buxheti i Bashkisë Elbasan dhe për të janë lënë në dispozicion 2.7 miliardë lekë.
Madje në dokumentet e tenderit shohim se do të derdhen para edhe për të “ndërgjegjësuar” banorët: Do të shpërndahen fletushka që iu tregojnë se si të mbajnë pastër ambientin. Kur në fakt është vetë bashkia dhe KURUM në Metarlugjik që po ndotin në gjendje të pakthyeshme Elbasanin dhe zonat përreth.
Por, Llatjas i dilnin ca lekë tepër, prandaj ka futur blerjen e këtyre fletushkave.
Për këtë tender me vlerë të lartë monetare, ka qenë i lartë interesi i kompanive të oligarkëve. Merrnin pjesë Luan Kapri, Shkëlqim Fusha, Arbër Abazi. Dhe pikërisht ky i fundit me firmën “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” SHPK është përkëdhelur dhe privilegjuar ta marrë fondin. Edhe pse ka patur ofertën sa 96% e fondit limit, Abazi nuk diskutohet, sepse është nipi i ish-deputetit të PS-së, Sadriut.
Kompania e gjobitur për ndotje
Ndërkohë, në të njëjtën ditë Llatja ka firmosur “Loti II: Kryerja e shërbimit të pastrimit në disa njësi administrative të Bashkisë Elbasan”, për të cilin janë planifikuar të shpenzohen 570 milionë lekë. Edhe këtu, një pjesë e fondit do të shkojë për sensibilizim.
Por, a nuk duhet sensibilizuar më parë stafi i bashkisë që të mos bëhet pjesë e aferave të kryetarit?
Sepse edhe ky tenderi i dytë është mbyllur me shkelje. Në dokument tregohet se kanë hyrë në lojë sërish tre konkurrentë, por Llatja sërish i ka rënë për shkurt dhe me këtë kontratë ka kënaqur një tjetër mik të vjetër, Marsel Shegën.
Tenderi ka marrë “Flamurin e kuq” nga monitoruesi Open Data për shkak të riskut të lartë të korrupsionit.
Kompania fituese është e njohur dhe ndëshkuar, pasi merr paratë dhe nuk kryen punën. Konkretisht, në vitin 2020, firma është gjobitur për një aferë të tillë. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndëshkuar me gjobë 2 milionë lekë Bashkinë e Rrogozhinës, e cila kishte kontraktuar firmën “Viola-Green SHPK” për të pastruar mbetjet urbane në këtë qytet.
Shkak janë bërë hedhjet e mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin, për të cilat IKMT ka njoftuar të marrë masa, por nuk është kryer asnjë veprim.
Ndërkohë, policia ka njoftuar se veç gjobës, kjo kompani me administrator Marsel Shegën do të ndiqet penalisht për krimet ndaj mjedisit.
“IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT dhe Policia e Shtetit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital”, thuhej në njoftimin e policisë.
“Viola-Green” SHPK ka lidhur në të kaluarën kontrata për pastrim të mbetjeve me Bashkinë Prrenjas, Bashkinë e Peqinit dhe me Kuçovën, të cilat shkojnë në vlerën 198 723 683 lekë. Dhe qytetarët kanë mbetur të pakënaqur nga shërbimet e saj. Por, Llatja e ka syrin tek përvetësimi i fondeve, jo tek pastrimi i qytetit.