Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar përmes një postimi në “Facebook” që të gjitha drejtoritë rajonale do të përfshihen nga hetime administrative dhe masa që përfshijnë të gjithë sektorët teknik të shërbimit.
Në njoftim bëhet me dije se janë larguar nga detyra 3 punonjës të QKT-ve Tiranë, Durrës, Vlorë, është pezulluar drejtuesi i QKT-së Shkodër dhe janë penalizuar edhe 6 punonjës
të QKT-ve Tiranë, Shkodër, Sarandë.
Njoftimi:
DPSHTRR, me misionin për të qenë një ent model efikasiteti dhe ligjshmërie, vijon të monitorojë çdo proces shërbimi, në qendër dhe në degët rajonale, për garantimin e standardeve të sigurisë e cilësisë!
Në çdo sektor e praktikë, kur fluksi vjetor kapërceu 3 milionë shërbime ndaj qytetarit, ekspozohemi ndaj riskut permanent të akteve korruptive e abuzive, në dëm të qytetarit dhe në kurriz të Automotorizimit Shqiptar, ndaj përgjegjësia sa vjen e rritet për të eliminuar dhe goditur fenomenet negative si edhe për të larguar nga institucioni ynë, përmes kontrolleve e sistemeve digjitale dhe shkëmbimit të informacionit me të gjitha organet ligjzbatuese, deri në kallëzime penale, të gjithë elementet që nuk e meritojnë të jenë punonjës të shërbimeve të transportit rrugor!
Me përfundimin e afatit 4-mujor, të KQZ, për kufizimin e lëvizjeve në entet publike, deri në datën e zgjedhjeve, DPSHTRR paralajmeron masa dhe hetime administrative, që përfshijnë të gjithë sektorët teknik të shërbimit, pa përjashtim, në çdo drejtori rajonale!
Konkretisht largohen nga detyra 3 punonjës të QKT-ve Tiranë, Durrës, Vlorë; pezullohet drejtuesi i QKT-së Shkodër; penalizohen edhe 6 punonjës të QKT-ve Tiranë, Shkodër, Sarandë! Grupi special i DPSHTRR vijon hetimin e dokumentacionit, bazuar në indicie dhe denoncime të ardhura në platformën online.