top of page

Habere të reja nga Kiko: Quo vadis Shqipëri?


Lutfi Dervishi


Teksa po mbllaçiste bananen e fundit për vaktin e drekës, majmunit Kiko i bëri shumë përshtypje titulli me shkronja kapitale i një artikulli që i referohej burimit zyrtar të statistikave: INSTAT.


Vetëm gjatë mandatit të dytë të qeverisë aktuale numri i gjedhëve u ul me 200 mijë krerë, numri i të imtave me 800 mijë dhe ai i shpendëve me 1.5 milionë?! Ç’bëhet në këtë vend?! Mirë njerëzit që po ikin ditën por edhe kafshët po na ikin natën? Në fillim Kiko fajësoi instiktin e gazetarëve që fokusohen vetëm të anët negative.


“Pse nuk i është dhënë me shumë hapësirë faktit që numri i gomerëve është rritur?”, – pyeti Kiko me një shprehje të stampuar mbi fytyrë thua se sapo kishte parë një elefant duke fluturuar.


Megjithatë, i mësuar që të mos bëjë si njerëzit të cilët nxitojnë të thonë fjalën e fundit qysh në fillim, Kiko ju drejtua Chat-GPT për të kuptuar më qartësisht se pse Shqipëria po vuan nga emigrimi i trefishtë: I njerëzve, i kafshëve dhe i shpendëve.Kiko kërkoi 10 arsyet e dramës dhe brenda një minutës mori përgjigjen:


“Ka shumë arsye për “largimin e trurit” nga Shqipëria. Duhet kuptuar që në një ekonomia tregu, është raporti kërkesë ofertë që përcakton shumë gjëra:


Ja edhe 10 arsyet:1. Çobenët po i merr Greqia; pavarësisht ngritjes së Akademisë së barinjve.2. Mjekët dhe infermierët po i josh Gjermania;3. Kuzhinierët po i gllabëron Italia;4. Kamionistët i tërheq Franca.5. Modelet i thith Dubai;6. Kujdestarët e hashashit i kërkon Spanja;7. Picierët po i fton Kroacia;8. Kuksianët po i tundon Londra;9. Korçarët kanë lindur për Amerikën;10. Politikanët po i thërret SPAK-u;


Kiko krojti kafkën e vogël dhe pyeti Chat-GPT nëse kishte ndonjë kategori që nuk do të lëvizte nga vendi i shqiponjave, por kur lexoi përgjigjen u bë pishman për pyetjen.“Gjithologët do të qëndrojnë, nuk ka asnjë tundim që i tund nga studiot televizive!”

“-O Zot!” -klithi Kiko, “a ka ku shkon më keq se kaq?”. Në momentin që mendoi më të keqen Kiko mbylli gojën me të dy putrat dhe u lebetit nga ideja se një ditë ajo që mendoi mund të bëhej realitet: “Po sikur NATO të marrë Edi Ramën ku do të mbytemi vallë pastaj?!”


Dielli i qershorit i ra Kikos mbi krye: e përvëloi, por edhe e zgjoi nga mendimet egoiste.“Shqipëria është e vogėl, bota është e madhe! Nevoja ndërkombëtare për lider të vërtetë si ai duhet të kapërcejë nevojat tona banale lokale!


Njerëzimi ka nevojë për të, sot, nesër do të jetë vonë!”

bottom of page