top of page

Hapi i dytë/ Berisha në tryezën e Bardhit: Nesër ju ftoj në takimin tim


Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në tryezën që thirri dhe organizoi kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Ai tha se takimi i sotëm është mesazhi i duhur për 600 mijë qytetarët që votuan opozitën. Në fund të fjalës Berisha i ftoi deputetët e grupit të Bardhit dhe aleatët që nesër të bashkohen në konferencën ku do të prezantojë gjetjet sipas tij të shkeljeve në zgjedhjet e 14 Majit.


“Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht zotin Bardhi dhe të gjithë ata të cilët mendoj se në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike, u angazhuan për thirrjen dhe mbajtjen e këtij takimi të shumëpritur nga populli i përçmuar opozitar.


Tu falënderoj të gjithë ju që jeni sot këtu dhe shpreh bindjen se, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, misioni i opozitës shqiptare është më i vështiri që ai ka pasur në 32 vite, por njëkohësisht ështe edhe më vendimtari.


Ky reaksion është shndërruar në një faktor pothuajse përcaktues të spastrimit etnik të Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Nga ky rreth vicioz nuk ka asnjë mekanizëm tjetër dalje përveç se përgjegjësive të opozitës.


Në rast se e sheh dhe analizon këtë rreth vicioz padiskutim që ka vend për fatalitet, por opozita nuk është ajo që mund të pranojë kurrë të bjerë në fatalitet, por është ajo që ka detyrën, ka misionin ligjor dhe moral të japë zgjidhje, të krijojë shpresën dhe të ngjallë shpresën.

Dhe unë mendoj se ky takim i ynë sot është mesazhi më i duhur që ne u dërgojmë mbi 600 mijë qytetarëve që në kushtet më të pabarabarta në 32 vite, qëndruan si idealist dhe votuan opozitën në farsën elektorale të 14 majit” tha ai.


bottom of page