Në hetimit pasuror që çoi në prangat e SPAK-ut Ilir Metën një pjesë e mirë e dosjes bazohet te çështja CEZ-DIA dhe roli i Presidentit të Partisë së Lirisë në të.
SPAK ngre dyshime në dosje se pas marrëveshjes mes çekëve të CEZ dhe DIA-s së Kastriot Ismailajt qëndrojnë afera korruptive, ku i përfshirë dhe me rol aktiv është edhe Ilir Meta.
Por, për të kuptuar më mirë skandalin CEZ-DIA më parë duhej të ishte hetuar plotësisht gjithë procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpëndarjes, ku personazhi kyç është akuzuar publikisht si nyja lidhëse mes interesave personale të pushtetit të asaj kohe me çekët, është Nuel Kalaj.
Ai është akuzuar si sekseri që kreu lidhjen mes Sali Berishës dhe çekëve të CEZ, madje në 2016, Romeo Kara gjatë dëshmisë së dhënë në komisionin hetimor parlamentar përmendi edhe emrin e Shkëlzen Berishës.
Nuel Kalaj është akuzuar se pas firmosjes së privatizimit ka tërhequr me çanta, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, 6.8 milionë euro, duke i larguar më pas nga Shqipëria, pa paguar asnjë taksë dhe pa kryer një punë të dokumentuar.
Kjo dëshmi është administruar nga komisioni hetimor si dhe është përfshirë në dosjen e dorëzuar në prokurori. Prokuroria, në ditët e fundit të mandatit të Adriatik Llallës, tentoi ta mbyllte dosjen, por gjykata urdhëroi thellimin e hetimeve për këtë çështje.
Si provë është administruar edhe një e mail i ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth takimit të planifikuar me Shkëlzenin dhe ish-kryeministrin Berisha.
Sipas e-mailit, Josef Hejsek ishte me Nuel Kalajn në sallën VIP të aeroportit të Rinasit dhe kishte ardhur në Tiranë për të negociuar me Shkëlzen Berishën dhe Sali Berishën.
Nga përmbajtja e e-mailit del qartë se, Nuel Kalaj, nga një emigrant në Francë është shndërruar papritur në negociatorin kryesor të marrëveshjes miliona euroshe mes CEZ dhe qeverisë shqiptare.
Pikërisht ky fakt mund të mjaftojë për prokurorinë e posaçme që të mos kushtëzohet vetëm te hetimi i skandalit të mbledhjes së faturave të prapambetura, por të hetojë edhe gjithë procesin e privatizimit të shoqërisë shtetërore më të vlefshme në atë kohë