top of page

Hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj, SPAK thërret ortakun e tij, ish-deputetin e PS


TIRANË- Ish-deputeti socialist Vladimir Kosta është thirrur ditën e sotme pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. Ai është kërkuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj.


Kosta ka rezultuar në marrëdhënie biznesi me Ahmetajn. Sipas burimeve në kuadër të hetimeve që po bëhen ndaj këtij të fundit, SPAK ka marrë më herët në pyetje edhe biznesmenë të tjerë.


Por ç’ka ndodhur me Ahmetajn?


Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj. Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm, por kërkesa u rrëzua. Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi. Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

bottom of page