top of page

Hijet e Niko Peleshit, deklaron 36 mijë euro duke shitur brekë e kompjutera, ish kompania e tij përlan 60 tendera. Çfarë e lidh ish ministrin me Ilir Kotherjan?! Me diplomë false, ndryshoi 4 parti

Ish ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar rreth 36 mijë euro fitime duke shitur pantallona dhe kompjutera në Korçë gjatë viteve 1996-2003. Është një punë e nderuar, por ish ministri e ka fshehur këtë aktivitet në CV-në e tij zyrtare. Ndoshta vetë Peleshi nuk e kishte menduar se një ditë, shitësi i brekëve të burrave dhe grave, do të bëhej ministër i Mbrojtjes.Me këtë deklarim, Peleshi i referohet kompanisë së tij Euro Inform, me nipt K33721008C, me objekt shitje veshmbathje dhe kompjutera në Korçë. Pasi u emërua Prefekt i Korçës në vitin 2004, Peleshi e kaloi kompaninë në emrin e gruas së tij Amarda Peleshi dhe Ilirian PendavinjitMë tej kompania e Peleshit kaloi në duart e Ilir Kotherja, një lidhje e ish ministrit të Mbrojtjes, aktualisht deputet i PS. Ka dyshime të forta për një kalim fiktiv për të shmangur konfliktin e dukshëm të interesit, pasi përmes kësaj kompanie janë futur duart në buxhetin e shtetit.Gjatë viteve të fundit, ish kompania e Niko Peleshit Euro Inform, kaluar në duart e Ilir Kotherja, ka përfituar 60 tendera publikë nga njësitë vendore për furnizim me kompjutera dhe pajisje zyre.

Vetëm një hetim nga SPAK mund të konfirmojë ose jo dyshime nëse paratë publike të përfituara nga kompania Euro Inform kanë përfunduar në xhepat e Niko Peleshit.

Diplomë false

Nëse ish ministrit të Brendshëm Flamur Noka është lakuar se i është dashur një dekadë për t’u diplomuar në mjekësi, nëse ish deputeti i PD Klevis Balliu është ‘diplomuar’ për shkenca politike në Londër, por nuk nuk di të shkruaj emrin e tij, nëse kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla është diplomuar me mesatare 5.9 dhe nëse Monika Kryemadhi ka vjedhur doktoraturën, rekordin e mban ish ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, të cilit i janë dashur 13 vite për t’u ‘diplomuar’.Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaron se i ka nisur studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, dega Elektronikë, në vitin 1989 deri në vitin 1992.

Peleshi ka bërë vetëm 3 vite nga 4 vite që ishte në atë kohë cikli i plotë i studimeve.

Peleshi e ka lënë shkollën në vitin e tretë (1992), duke u larguar disa vite si emigrant në Gjermani. Peleshi u kthye si biznesmen në Shqipëri (duke shitur kompjutera të vjetër te kinemaja në Korçë) dhe u rikthye në fakultet 10 vite më vonë.

Sipas CV-së dorëzuar në KQZ me firmën e tij, Peleshi thotë se është diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, dega Elektronikë, në vitet 2000-2002. Pra, ministrit të Mbrojtjes i janë dashur 13 vite që të mbaronte shkollën e lartë.

Por, diploma e ish ministrit të Mbrojtjes është e pavlefshme, pasi ligji për arsimin e lartë dhe rregulloret e fakulteteve kanë parashikuar një afat brenda të cilit studenti duhet kryejë studimet, që është jo më shumë se 10 vjet.

Megjithatë, diplomimi i paligjshëm nuk është misteri i vetëm i ish ministrit të Mbrojtjes.

Niko Peleshi ndryshoi 4 parti

Në biografinë e tij, Peleshi fsheh faktin se ka qenë anëtar kryesie në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, dega Korçë.

Madje Niko Peleshi konsiderohej si zbulim politik i Ridvan Bodes që me shpërbërjen e kooperatiave, i lakuar si spiun i ish Sigurimit të Shtetit me pseudonimin ‘financieri’.

Më tej, Niko Peleshi iu bashkua Partisë Republike me në krye Sabri Godon, por me kryetar real Fatmir Mediun.

Në vitin 1999 pas një përplasje me Sali Berishën, Genc Pollo përçau Partinë Demokratike, duke marrë një grup deputetësh dhe duke themeluar PDR.

Niko Peleshi, Aldo Mano, Servet Feka, Ilir Pëndavinji etj., themeluan PDR-në në Korçë. 

Në nëntor 2003, kryetari i PDR Genc Pollo, i njihur si Kuqoja, tronditi Berishën teksa tha se kishte marrë mbështetjen e shumicës së kryesisë për t’u bërë pjesë e qeverisë Nano.

Pollo synonte thjeshtë të rriste pazarin me Berishën. Dhe ashtu ndodhi. Kuqoja u bë 8 vite ministër 2005-2013, ku besohet se bëri miliona euro, duke i investuar një pjesë në Kosovë.

(Kujtojmë që në vitin 1998, Genc Pollo dhe Tritan Shehu shkuan te kryetari i komisionit të hapjes së dosjeve në atë kohë Nazif Bezhani, ku i kërkuan dosjen e Sali Berishës, duke shprehur bindjen se ka qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit. Bezhani, i zënë ngushtë, u nxori dosjet e tyre si spiunë të ish Sigurimit të Shtetit).

Niko Pesheli e mori seriozisht provikimin e Genc Pollos për t’u bashkuar me Fatos Nanon.

Pasi kishte kaluar parti më parti, Peleshi i bashkohet PS si prurje nga biznesi, edhe aktiviteti i tij ishte shitje e kompjuterave të vjetër te kinemaja.

Në Tetor të 2004-ës, Peleshi emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për rreth një vit.

Fshehje dhe mashtrime

Niko Peleshi pasqyron karrierën politike vetëm pas viti 2004 dhe jo para vitit 2004, pasi pjesa e parë e karrierës politike mund të mbante peng tjetrën.

Ndërkaq, teksa fsheh karrierën politike, gënjen për karrierën profesionale. Peleshi deklaron se nga viti 2001 deri në vitin 2004 ka qenë kryetar i Dhomës së Tregetisë Korcë, ndërsa nga viti 1999-2004 ka bërë iznes në fushën e teknologjive të Informacionit, kur në fakt thjeshtë ka shitur kompjutera te kinemaja.

Në vitin 1999, Peleshi thotë se ka punuar pranë zyrës së UNHCR në Korçë hapur gjatë luftës së Kosovës, një tjetër sajesë qesharake, pasi UNHCR ka punuar bashkëshortja e tij Amarda Peleshi.

Gjatë viteve 1996-1999 Peleshi pretendon se ka bërë biznes në fushen e pasurive të paluajtshme dhe aktivitet tregtar. Por, edhe ky pretendim është një mashtrim.

Nëse Peleshi do kishte bërë biznes në fushën e pasurive të paluajtshme, duket të kishte krijuar pasuri. Në vitin 2004, Peleshi si pasuri deklaron 1/6 e një shtëpie dy katëshe në Korçë, me vlerë 6 000 000 lekë, të trashëguar nga babai në vitin 1993, një truall 3070 m2 dhuruar nga nëna si dhe një truall 324 m2, të cilin e posedonte nga viti 2002.

Edhe për periudhën kur ka punuar si emigrant në Gjermani 1992-1994, Peleshi gënjen duke pohuar se ka emigruar me kontrate pune nga Ministria e Ekonomisë me shtetin Gjerman, ndërkohë që nuk thekson se çfarë pune ka bërë.

Dy afera korruptive

Edhe karriera e pafshirë nga Peleshi ka njollat e saj.

Në ministrinë e Bujqësisë, Peleshi “shkëlqeu” me paaftësinë e tij, sa Rama e largoi pikërisht për mungesë të theksuar rezultatesh.

Madje u bë i famshëm për një skandal të përmasave të bujshme, ku lejoi shitjen në treg si pleh kimik, të pesticidi Silicon Mix, të ndaluar në AKU. 

Si ministër i Mbrojtjes, Peleshi shkëlqeu me dështimin e menaxhimit të vatrave të zjarrit dhe me aferën korrupsioni të kontraktimit të një kompanie fantazmë për të fikur zjarret me helikopter. Kompania Vivahelicopters’, me nipt (M01624004A) me 200 mijë lekë kapital, nuk kishte helikopter, vetëm disa kova me ujë. Kompania mori 4 milionë euro dhe paratë u ndanë.

Si gënjeu në SPAK për lidhje me Zoton

Ish ministri Mbrojtjes, Niko Peleshi, është pyetur në SPAK për një udhëtim që ai ka kryer me Klodian Zoton në Itali në vitin 2013, kur mbante detyrën e kryetarit të Bashkisë së Korçës.

Peleshi ka deklaruar për atë udhëtim se nuk e dinte kush i kishte paguar shpenzimet, por “besoj se Ujësjellësi i Korçës, meq​ë ata ma bënë ftesën”.

Gjithashtu, Peleshi mohoi që të kishte udhëtuar me Klodian Zoton në atë udhëtim, për të cilin kishte dëgjuar se shërbente si një lloj konsulenti për një projekt në letër të Ujësjellësit të Korçës, për ndërtimin e një impjanti fotovoltaik.

Pra, Peleshi mohonte që të kishte udhëtuar me Zoton.Por, një tjetër version jep Petrit Tare, ish-drejtori i Ujësjellësit të Korçës dhe organizatori i atij udhëtimi.

“Në këtë vizitë kam udhëtuar me Klodian Zoto dhe Niko Peleshi, nga Tirana nëpërmjet Rinasit në drejtim të Barit. Më pas atje kemi udhëtuar me makinë me qera për në Romë… Makinën e ka paguar Klodiani, i cili kur zbritën në aeroportin e Barit, ka shkuar ka marë makinën dhe më pas është kthyer duke i marë të gjithë e më pas janë nisur drejt Romës….Biletën time të avionit e ka paguar Klodian Zoto, ndërsa për Niko Peleshin, nuk më kujtohet”.Në kohën e udhëtimit, kompanitë e lidhura me Zoto fituan një tender disa milionë euro në Ujësjellësin e Korçës për vendosjen e matësave të rinj të ujit.











bottom of page