
Qeveria ka publikuar programin buxhetor afatmesëm për periudhën 2024-2026.
Dokumenti buxhetor afatmesëm i periudhës 2024-2026 parashikon përmirësim të dukshëm në renditjen e Shqipërisë tek Indeksi i Buxhetit të Hapur (Open Budget Index), nga 52/100 pikë në vitin 2023, parashikohet të arrihet vlera 59/100 pikë në vitin 2026.
Ndërsa të ardhurat tatimore parashikohen nivelin 28,4% të PBB-së në vitin 2026, nga 28,3% që është parashikuar për vitin 2024 sipas programit buxhetor afatmesëm të rishikuar. Gjatë periudhës 2023-2026, programi “Menaxhimi i të Ardhurave Tatimore” synon: rritjen e raportit të zbulueshmërisë nga kontrollet e kryera nga administrata tatimore tek bizneset; zgjerimin e kontrollit të verifikimit në terren nëpërmjet strukturave të hetimit tatimor dhe ndërgjegjësimi i bizneseve ndaj fushatave të shumta për luftën kundër informalitetit.
Gjatë ciklit afatmesëm 2024–2026, parashikohet vijimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët në arsim, shëndetësi, transport, bujqësi, si dhe financimi i disa politikave të reja të nisura përgjatë vitit 2023 për sektorët në shëndetësi, arsim dhe për punonjësit e gardës.
Në dokument theksohet se për sa i përket tregut të punës synohen në total të punësohen 14, 000 punëkërkues te rinj (16- 29 vjeç) në 2026 nga 10 800 të parashikuar në vitin 2023. Synohet të rritet punësimi i punëkërkues të papunë nga grupet me aftësi te kufizuar, gratë që kanë ndjekur programet e kualifikimit, si dhe të rinjtë që kanë përfituara nga skema e garancisë rinore.
Reduktimi i numrit të personave që përfitojnë nga pagesa e papunësisë nga 5,000 të planifikuar në vitin 2023, në mesatarisht 3,000 të papunë përgjatë 2024-2026.
Projeksionet mbi treguesit kyç të menaxhimit të shpenzimeve publike në periudhën afatmesme pritet të rishikohen sërish. Në hyrje të dokumentit të botuar në fletoren Zyrtare Ministria e Financave sqaron se në ky dokument i PBA 2024-2026 bazohet në VKM e Kuadrit Makroekonomik e Fiskal 2024-2026 të miratuar në Janar 2023. Për këtë arsye në të nuk reflektohen treguesit më të fundit makroekonomikë e fiskal.
Treguesit më të fundit të makroekonomikë e fiskalë do të paraqiten pjesërisht në relacionin e ligjit të buxhetit vjetor 2024, si dhe do të miratohen të plota në VKM e radhës të Kuadrit Makroekonomik e Fiskal 2025 – 2027, në Janar 2024, me të cilin nis edhe cikli i ri i buxhetimit afatmesëm 2025-2027.