Ermal Hasimja, Kryetar i Shoqatës së Shkollave Jopublike të Shqipërisë
Para rreth një muaji synimi i ministrisë së financave për vendosjen e TVSH-së për arsimin privat. Në atë moment, neve, aktorëve arsimit privat, ky na u duk një alarm pak i mundshëm dhe në rastin më të keq tepër i largët. Gaboheshim!
Nuk do të merrem gjatë këtu me pasojat katastrofike të kësaj nisme për arsimin, nëse do të miratohej: rëndim me 20% i buxhetit të shtresave të mesme për shkollimin e fëmijëve të tyre, nxitja e mëtejshme për emigracion, rrënimi i arsimit privat si faktor bazë në shkollimin e 82.500 nxënësve e studentëve, dyndja dhe ngjeshja e nxënësve nga privati në shkollat publike që edhe tashmë e kanë të pamundur të ofrojnë kushte e cilësi normale, përplasjen me direktivën e BE-së që përjashton arsimin privat nga TVSH-ja, elitarizimin socio-ekonomik të shkollave private, shkatërrimin e sistemit të bursave për nxënës të shkëlqyer nga familje të varfra, etj, etj.
Ajo që të bën përshtypje në raste të tilla është një mungesë e theksuar koherence mes politikave të sektorëve të ndryshëm të egzekutivit. Nga njëra anë qeveria përcakton me të drejtë një kontratë specifike me studentët e mjekësisë për t’i mbajtur në Shqipëri pas studimeve meqenëse vendi vuan për mjekë. Nga ana tjetër pikërisht mjekëve të cilët pothuajse të gjithë i shkollojnë fëmijët në shkolla private planifikon t’u kërkojë edhe 20% para shtesë mbi faturat e shkollave private.
Shtresat e mesme paguajnë sot “taksën e ndershme” progresive, pra tatohen, padrejtësisht mendoj unë, më tepër sesa të tjerët, megjithëse japin kontributin kryesor në vend. Megjithëse tatohen kësisoj ato nuk përfitojnë shërbime arsimore në këmbim të taksave të tyre sepse shteti subvencionon vetëm familjet që i çojnë fëmijët në shkolla publike. Privati? Aty shkojnë pasanikët, thotë FMN-ja, sponsorja kryesore e idesë së TVSH-së. A thua se Shqipëria paska vërtet 50.000 familje të pasura! Nëse nisma miratohet atëherë këtyre familjeve të shtresave të mesme do t’u duhet që përveç taksave që paguajnë për arsimin pa marrë asgjë në këmbim të mbajnë mbi shpinë edhe 20% TVSH, pra qindra euro më tepër në buxhetin familjar çdo vit.
Nga njëra anë pushteti qendror dhe lokal ushtron presion të jashtëzakonshëm në treg duke rritur rrogat për adminstratën me synimin për të përmirësuar kushtet për shtresat e mesme dhe nga ana tjetër ndërmerr politika si kjo e TVSH-së duke goditur fuqishëm pikërisht arsimin si një nga dy arsyet kryesore që shtresat e mesme rendisin për emigrimin jashtë vendit.
Nga njëra anë ministria e financave e trajton arsimin si një sipërmarrje e rëndomtë private dhe nga ana tjetër qeveria e shpall arsimin si prioritet madhor.
Pyetja e natyrshme që të vjen ndërmend është kjo: a ka një strategji gjithëpërfshirëve, kuptimplotë e koherente për ta bërë Shqipërinë një vend më të jetueshëm për shtresat e mesme si motorr i shoqërisë?
Nëse qeveria e ka seriozisht arsimin prioritet atëherë masat që duhen marrë janë të kundërtat e vendosjes së TVSH-së. Shteti mund të subvencionojë edhe fëmijët që shkollohen në arsimin privat, ose mund të krijojë lehtësira fiskale siç e bën qeveria në SHBA ku shkollat private jo vetëm nuk paguajnë taksën e shitjes (nuk ka TVSH), por as tatohen për fitimet për të nxitur zhvillimin e këtij sektori. Ose si Franca që u paguan koston e rrogave të stafit shkollave private. Dhe plot shembuj të tjerë.
Nëse këto do të ndodhnin atëherë do të mund t’u hiqej mjekëve, inxhinjerëve, ekonomistëve e shumë të tjerëve që presin me valixhe në dorë argumenti kryesor për braktisjen e vendit. Kjo kërkon politikë koherente, jo makinë llogaritëse.