top of page

Inceneratori dhe tenderat, SPAK zbarkon në Bashkinë e Tiranës/ Ja çfarë u sekuestrua


Një grup oficerësh të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas një urdhri të SPAK-ut, kanë mësyrë mëngjesin e sotëm në Bashkinë e Tiranës.


Mësohet se që në orët e para të mëngjesit, oficerët e BKH-së, me urdhër të prokurorëve të SPAK-ut dhe me një miratim nga Gjykata për Krimin e Korrupsionin, kanë shkuar te zyrat e Bashkisë së Tiranës, pikërisht te Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse, e cila ka pasur në krye të saj, Taulant Tushen.

Taulant Tushe njihet si një nga mbështetësit kryesorë dhe krahu i djathtë i Erion Veliajt dhe ai ndodhet pas prangave për çështjen e hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

CNA TV ka mësuar se sot oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle, jo thjesht dhe vetëm në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, i cili duhet theksuar se nuk ekziston, janë disa çështje në hetim.

Sipas burimeve të CNA TV, kontrolli i bërë nga oficerët e BKH-së në zyrat e drejtorisë së Taulant Tushes, jo thjesht dhe vetëm në zyrën e drejtorit, por në drejtori, në të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, asaj të Shërbimeve Mbështetëse, ku është kërkuar dokumentacion dhe mbledhje e plotë e të dhënave në lidhje edhe me një kallëzim tjetër, atë të dosjes “5D”, kryer pak muaj më parë në SPAK nga ish-deputeti Belind Këlliçi.

Sipas burimeve zyrtare, rezulton se oficerët e BKH-së kanë marrë mjaft dokumente që konsiderohen shumë të rëndësishme për hetimin në lidhje me çështjen e tenderëve apo problematikat për të cilat akuzohen disa zyrtarë të Bashkisë Tiranë, përfshirë këtu edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, raporton CNA.


Ndërkohë portali Albania Post i Baton Haxhiut, një prej analistëve që konsiderohet si i afërm me Kryeministrin Edi Rama, njoftonte po sot se 6 drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK.


“Hetimi i thelluar është deri në atë pikë, sa gjithçka pritet është vetëm urdhri nga prokurorët për aktakuzë zyrtare, i cili nuk bëhet i qartë se kur mund të vijë, pasi edhe vetë lufta mes drejtorëve duket të jetë shumë e ashpër.


Ndër gjërat e përmendura në hetimet e SPAK, lexohet në detaje edhe se ka pasur fluturime charter, drejt dhe nga Podgorica, kryeqyteti malazez, të cilët janë të pajustifikuar.


Zanafilla kryesore për nisjen e këtyre hetimeve mund të ketë qenë edhe një pakënaqësi e brendshme karshi të gjithë këtyre drejtuesve, gjë që ka bërë edhe çështjen të avancojë me shpejtësi drejt SPAK.

Po ashtu, siç ka arritur të mësojë Albanian Post, asnjë prej rasteve nuk lidhet me çështjen e shumëpërfolur të Inceneratorëve, për të cilën më parë ka pasur arrestime edhe në nivel të lartë në Bashkinë e Tiranës.

Por, informacionet lidhen me aspekte të tjera të shkeljeve dhe aferave brenda institucionit, në nivele drejtuesish.

Profili i lartë mund të jetë në krye të lajmit javën që vjen, thonë burime në SPAK”, njofton portali i Baton Haxhiut.


bottom of page