top of page

Inceneratori i Tiranës, GJKKO lë në fuqi masat për të dyshuarit


Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 12 personat e dyshuar për inceneratorin e Tiranës. Për 6 është konfirmuar masa e sigurisë arrest në burg, kurse 6 të tjerë janë lënë në masë sigurie ‘arrest shtëpie’, ndërsa 3 persona janë në kërkim.

Të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Shumica prej tyre kanë folur vetë në seancë duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Mes tyre ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha:

“Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”.

Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.




bottom of page